Kombetarja

Kombëtarja u-19 mundet thellë nga Sllovakia

Vijojnë rezultatet zhgënjyese të kombëtareve shqiptare të futbollit në të gjitha nivelet. Pas barazimit të skuadrës A me Jordaninë, humbjes së 21-vjeçarëve me Spanjë ditën e shtunë ishte radha e kombëtares U-19 që të mposhtej. Skuadra e drejtuar nga Erion Bogdani është mundur thellë 3-0 nga Sllovakia në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit.

Që në minutën e 4` të takimit janë sllovakët, ata që me një kundërsulmi arrijnë të zhbllokojnë rezultatin me anë të Kmet. Goli demoralizon skuadrën tonë, ndërsa i bën 19-vjeçarët e Sllovakisë të jenë më superior në fushën e lojës, duke dominuar mesin e fushës. Shqipëria mundohet të reagojë, por sllovakët tregojnë se janë ndjeshëm një nivel më lart. Në minutën e 30’, autori i golit të parë, Kmet, do të rikthehet për të gjetur golin e dytë duke e çuar rezultatin në 2-0 për Sllovakinë. Nuk mbyllet me kaq, pasi vetëm dy minuta më vonë shifrat ndryshojnë sërish, me sllovakët që realizojnë golin e tretë në minutën e 32`sërish me anë të Kadak, që çon shifrat në 3-0 për Sllovakinë.

Me këtë rezultat do të mbyllej pjesa e parë e lojës, teksa në 45 minutat e dyta të besuarit e Erion Bogdanit mundohen të bëjnë diçka ndryshe, duke kërkuar të ngushtojnë shifrat. Disa ndërrime të kryera nga trajneri i kuqezinjve të vegjël, bëjnë që Shqipëria të jetë më kërkuese, por sërish nuk mundi dot të asgjë për t’ia ndryshuar fatin kësaj përballje.

Pavarësisht të gjitha përpjekjeve, goli i nderit për ekipin e Bogdanit nuk erdhi, duke bërë që skuadra të pësojë një tjetër humbje që e mban në vend të fundit në renditje, ndërsa Sllovakia kryeson Grupin 8 me 6-të pikë  të plota.

FORMACIONET:

Shqipëria: Alia, Ismailgeci, Isufi, Kumbulla, Kalaj, Halili, Koçi, Karica, Lakti, Pasha, Muçi. Trajner: Erjon Bogdani

Sllovakia: Fojticek, Kmet, Vojtko, Pisoja, Kucera, Makara, Kadak, Mader, Filipiak, Martisiak, Strelec.

Më Shumë