Kombetarja

Kombëtarja rikthehet në “Loro Boriçi”, publikohen masat për sfidën Shqipëri-Turqi

Duhen edhe dy ditë nga fillimi ndeshjes së parë eliminatore për Kampionatin Europian 2020, Shqipëri-Turqi, por këtë të mërkurë janë publikuar masat e sigurisë. Është kompania private e sigurisë që do të kujdeset për mbarëvajtjen e kësaj ndeshje e cila ka bërë me dije të gjitha masat për ruajtjen e rendit brenda në stadiumin “Loro Boriçi”.

Kompania në fjalë, “bbs security” ka bërë një listim të të gjitha sendeve që nuk do të lejohen në stadium ditën e premte. Kështu, banderola të pa miratuara nga Federata, shishet e qelqit, materiale piroteknike, shashka, çadra, shkopinjtë e drurit apo hekurit për flamujt nuk do i'u lejohen tifozëve që do të hyjnë në shkallët e “Loro Boriçit” për të ndjekur ndeshjen. Por gjithashtu edhe lazërat, vuvuzelat, boritë, bilbilat, kamera të ndryshme dore apo aparate që mund të filmojnë ndeshjen nuk do mund të merren me vete në brendësi të stadiumit.

Ndër të tjera siç tashmë është bërë traditë në ndeshjet e rëndësishme të kombëtares bëhet me dije se hyrja në stadium do të fillojë 2 orë para startit të ndeshjes. Sipas njoftimit kjo zgjedhje bëhet në mënyrë që të shmangem radhët e gjata dhe pritjet në dyert e stadiumit. Sakaq përveç këtyre masave të kompanisë private të sigurisë në orët dhe ditët në vijim pritet që të bëhet me dije edhe plani i masave të policisë së shtetit për këtë ndeshje.

Pritet që në qytetin e Shkodrës të ketë një shërbim të përforcuar të Policisë së Shtetit. Masat do të jenë të shtrira, duke filluar që nga dita e enjte, për të shmangur çdo ngjarje që mund të cenojë mbarëvajtjen e ndeshjes. Sipas asaj që mësohet deri më tani nuk pritet që për këtë ndeshje të ketë një angazhim me shërbim të veçantë të agjencive të tjera shtetërore, pasi nuk ka ndonjë informacion për mundësinë e veprimeve të jashtëligjshme nga ana e të dy tifozerive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë