Kombetarja

Kombëtarja për objektivin e luksit, tifozët për festën e madhe të natës me surpriza (programi)

Shqipëria do të përmbyllë sot rrugëtimin thuajse perfekt të eliminatoreve për Europianin e 2024-s me ndeshjen kundër Ishujve Faroe në stadiumin “Air Albania”. Një ndeshje e konceptuar si festë për të gjithë publikun, por siç e përmendi edhe trajneri në konferencën për shtyp: “tifozët kanë ardhur për festë, por ne kemi ende punë.”

Lojtaret e Kombetares festojne nje nga golat ndaj Çekise. Gazeta Si, 20 nentor 2023

Pas kualifikimit për në finalet e Eueropianit matematikisht në ndeshjen ndaj Moldavisë më 17 nëntor, kuqezinjtë kanë për të arritur një tjetër objektiv, një objektiv luksi ky pasi do të na duhet të mbajmë vendin e parë në grup. Edhe për këtë synim na duhet sforco jo shumë të mëdha, e para se do të na mjaftojë një barazim, e dyta se luajmë ndaj skuadrës më të dobët të grupit, Ishujve Faroe, që e kemi mundur 3-1.

Gjithsesi, për këtë mbërmje të madhe për të gjithë shqiptarët, kuqezinjtë do të kenë mundësinë të festojnë edhe me një program artistik, që starton me përfundimin e pjesës së parë, ku do të jetë grupi i ansamblit që do të mbajë të ndezur atmosferën për ato 15 minuta të pushimit.

Pas ndeshjes do të jetë një program për rreth 1 orë me muzikë dhe një koreografi surprizë nga pjesa e tifozëve kuqezi. Këngëtarja e mbrëmjes do të jetë Juliana Pasha, e cila për rreth 20 minuta do të këndojë disa këngë patriotike, ndërkohë që pas grumbullimit edhe një herë të të gjithë protagonistëve në fushë, nga lojtari i parë deri tek i 23-ti dhe stafi teknik apo presidenti i FSHF-s, do ndizet një atmosferë gjigante me fishekzjarrë për të përmbyllur këtë natë magjike.

Banderola gjigante e pergatitur nga TKZ me rastin e 20-vjetorit te krijimit

Gjithashtu, do të prezantohet edhe motoja jonë e këtij Europiani që është: “Po ku ka si ti o Shqipëria ime!”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë