Kombetarja

Kombëtarja niset drejt Turqisë, Reja mendon të ndryshojë skemën

Dëmtimi i Elseid Hysajt i ka prishur shumë punë trajnerit Edi Reja, pasi humb një element kyç në ekuilibrin e skemës së tij të preferuar 3-5-2. Në linjën e djathtë duhet një lojtar që të mbrojë mirë, të ndihmojë treshen e parapavijës, por edhe t’i japë një dorë sulmit. Diçka që shkodrani e bëri mirë në ndeshjen me Islandën, ku gjeti edhe golin e parë me Shqipërinë. Hysaj është dëmtuar dhe me sa duket, trajnerit italian nuk ia mbush syrin asnjë nga lojtarët e tjerë për të bërë rolin e tij. Balliun nuk e grumbulloi, ndërsa Roshi sheh më shumë nga sulmi, ndërkohë që në një ndeshje transferte si kjo me Turqinë, duhet shumë kujdes prapa.

Kuqezinjtë nisen drejt Turqisë. Gazeta Si, 10 tetor 2019

Në këto kushte, trajneri Reja ka menduar të ndryshojë skemën e lojës, duke kaluar me katër mbrojtës. Kjo është dilema e madhe e trajnerit të kuqezinjve, të cilën ai duket se do ta zgjidhë në çastin e fundit. Nëse vendos t’i besojë skemës së mëparshme, vendin e Hysajt me shumë mundësi e merr Roshi, edhe pse do të ishte e rrezikshme. Një alternativë është edhe Veseli, por ky i fundit preferohet më shumë në skemën me 4 mbrojtës, ku do të luante bashkë me Ismajlin, Gjimshitin dhe Dermakun.

Ndryshimi i mundshëm i mbrojtjes do të sillte edhe ndryshimin e mesfushës, ku Gjasulës dhe Bares në qendër do t’u bashkoheshin Memushaj nga e djathta dhe Lenjani nga e majta. Për sulmin situata është më e qartë, sepse me të dyja skemat, Cikalleshi dhe Manaj duken të palëvizshëm. Trajneri Reja ka në dispozicione dhe një seancë të fundit stërvitore, ku do të japë udhëtimet e fundit për të tijtë. Ai do të dalë në konferencë shtypi, ku do të flasë për ndeshjen e nesërme me Turqinë, vendimtare për objektivin e kuqezinjve.

Trajneri Reja, në dilemë të madhe për formacionin. Gazeta Si, 10 tetor 2019


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë