Nën drejtimin e trajnerit, Edi Reja, kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur këtë të mërkurë punën përgatitore për dy ndeshjet e radhës eliminatore të kampionatit europian. Për sfidat me Islandën dhe Moldavinë, ekipi kuqezi e ka nisur punën shumë shpejt. Si rrallë herë më parë, nga tekniku Reja janë thirrur një grup lojtarësh të përzgjedhur nga grupi i ekipit A, që kanë mbyllur kampionatet e tyre dhe lojtarë nga ekipi “Shpresa” që në një të ardhme të afërt mund t’i bashkohen kombëtares.
Në kompleksin stërvitor në qytetin e Durrësit, djemtë kuqezinj kanë zhvilluar stërvitjen e parë nën drejtimin e teknikut Reja, pa impenjim të madh fizik. Pak taktikë dhe leksione, por disa ushtrime të thjeshta, më shumë sa për t’u njohur me njëri tjetrin dhe për të thyer barrierat e komunikimit.
Pasi grupi të bëhet i plotë edhe me lojtarët e tjerë që ende nuk i kanë mbyllur kampionatet e tyre, kombëtarja shqiptare do të zhvendoset në Gjermani, për ta përgatitur nga aty ndeshjen me Islandën. Është bërë kjo zgjedhje, pasi tekniku Reja ka kërkuar që skuadra të përgatitet në kushte atmosferike sa më të përafërta me ato të Islandës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.