Kombetarja

Kombëtarja në kaos, Panuçi përplaset edhe me kapitenin Mavraj

Duket sikur nuk kanë të sosur problemet në kombëtaren shqiptare të futbollit. Përveç rezultateve të dobëta që janë marrë në ndeshjet e fundit, kombëtarja kuqezi është përfshirë dhe nga një sërë problemesh të brendshme. Më i fundit është ai mes trajnerit Kristian Panuçi dhe kapitenit Mërgim Mavraj. Kapiteni i kombëtares që u zgjodh me votim në muajin tetor ka kërkuar leje te trajneri Panuçi që të paraqitej në grumbullim me një ditë vonesë për shkak se e ekipi i tij në Superligën greke, Arisi i Selanikut luan të hënën. Klubi grek ka bërë edhe kërkesën zyrtare pranë FSHF-së, por nga kjo e fundit ka ardhur një refuzim kategorik.

Arsyeja e këtij refuzimi ka qenë trajneri italian Panuçi. Mediet greke kanë shkruar mëngjesin e kësaj të diele se Mavaraj nuk ka dashur që ta humbasë këtë ndeshje me ekipin e tij dhe e ka kundërshtuar vendimin e trajnerit. Ky i fundit ia ka thënë edhe personalisht Mavarajt që nuk mund të vinte me një ditë me vonesë.

Pas refuzimit nga Loret Sadiku, kjo është një situatë tjetër paradoksale në ekipin tonë kombëtar, pasi rrezikojmë që në ndeshjen e fundit në “Uefa Nations League” përballë Skocisë, të luajmë pa kapitenin e sapo zgjedhur. Pikëpyetjet shtohen akoma dhe më shumë për mënyrën se si ka vepruar tekniku italian. Në muajin shtator kishte dhënë leje për t’u vonuar për Elseid Hysaj, pasi ai kishte një ndeshje me ekipin e tij Napoli. Por në një rast tjetër me sulmuesin Cikalleshi, Panuçi nuk e toleroi sulmuesin kavajas edhe pse ky i fundit ditën që filloi grumbullimi do duhej të firmoste kontratën me ekipin e tij të ri.

Kjo situatë me kapitenin Mavraj vetëm sa e përkeqëson gjendjen në kampin kuqezi në prag të dy ndeshjeve të radhës, ku do të kërkohet kthimi te rezultatet pozitive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë