Kombetarja

Kombëtarja i kthehet fushës, nis përgatitjet për miqësoren me Bullgarinë

Gazeta Si - Një ditë pas fitores së bujshme me çekinë, Kombëtarja shqiptare është rikthyer sot në fushën e stërvitjes dhe ka nisur përgatitjet për ndeshjen miqësore me Bullgarinë, e programuar për më 17 tetor, në stadiumin “Air Albania”.

Trajneri Silvinjo e ka ndarë grupin në dy pjesë. Ata lojtarë që nuk u aktivizuan ndaj Çekisë zhvilluan një seancë të plotë, të fokusuar te puna me topin, kurse lojtarët që luajtën të enjten bënë një seancë shkrythëse, palestër dhe fizioterapi.

Sipas FSHF-së, ka ndryshime në listën e lojtarëve të gatshëm për miqësoren me Bullgarinë. Mirlind Daku kreu testet mjekësore pas tërheqjes muskulore të pësuar gjatë ndeshjes dhe analizat treguan se ai ka nevojë për disa ditë pushim. Ai nuk mund të rikuperohet në kohë dhe është lënë i lirë.

Do të mungojë edhe mesfushori Keidi Bare. Klubi i tij, Espanjoli, ka bërë një kërkesë zyrtare, nëse lojtari mund të lihet i lirë për shkak se ka ndeshje të rëndësishme në kampionat në fundjavë. Stafi teknik, pasi diskutoi edhe me lojtarin, vendosi ta lërë të lirë të bashkohet me skuadrën spanjolle. Kombëtarja do të lihet pushim të shtunën dhe të dielën do të rikthehet në stërvitje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë