Kombetarja

Kombëtarja e vogël ruan nderin, humb 0-1 me Spanjën

Përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë ka evituar humbjen e thellë me Spanjën. Skuadra e drejtuar nga trajneri Alban Bushi është mundur minimalisht nga Spanja 0-1 në ndeshjen e vlefshme eliminatore për Europianin, që u zhvillua mbrëmjen e së enjtes në stadiumin “Selman Stermasi”. Ndryshe nga sfida që u zhvillua në Spanjë, ku kuqezinjtë e vegjël humbën thellë, në këtë përballje kthimi loja ka qenë disi më e barabartë. Përballë një skuadre shumë më të fortë dhe të mbushur me yje të rinj, skuadra e Bushit ia ka dalë që të tregojë një nivel të mirë.

Pjesa e parë ka përfunduar me rezultatin e bardhë 0-0 edhe pse rastet për iberikët nuk kanë qenë të pakta. Në pjesën e dytë spanjollët e rritën presionin, por golin do e gjenin shumë vonë. Do të ishte Rafael Mir, ai që shënoi golin vendimtar të kësaj përballje, duke i dhënë tre pikët Spanjës. Kuqezinjtë bëjnë pjesë në grupin e dytë dhe kjo ndeshje ishte e parafundit, ku do të pasohet nga sfida e fundit zyrtare ndaj Estonisë në datë 16 tetor.

Sakaq menjëherë pas mbylljes së kësaj ndeshje ka folur trajner Alban Bushi. Tekniku i kombëtares “shpresa” përtej rezultateve është i lumtur për numrin e lojtarëve që ka marrë Panuçi nga ekipi u-21. “Menduam të luanim bukur gjatë gjithë lojës, skuadra u lodh në fund të ndeshjes. Ekipi i Spanjës ka shumë mundësi, është një fitore e merituar nga ata. Sa i përket grumbullimin të futbollistëve të U-21 nga trajneri Panuçi, më vjen mirë që po i shërbejmë ekipit kombëtar A, ku në ndeshjen miqësore të mbrëmshme ndaj Jordanisë luajtën 5 futbollistë që kanë shkuar nga Shpresat. Kemi edhe ndeshjen e fundit të eliminatoreve në Estoni me 16 tetor ku duhet të fitojmë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë