Politike

Kokëdhima dhe metarmorfoza e Ramës për kanabisin

Edi Ramës iu deshën gjashtë vjet të nxirrte nga poshtë tavolinës projektin e “personazhit atipik” Koço Kokëdhima për legalizimin e kanabisit.

Kësaj here, “ëndërrimtari i palodhur dhe pragmatisti i pashoq” (të tillë e quan Rama në librin “Kurban”) duket se e ka fituar “Vaterlonë” e tij, tanimë jashtë PS-së dhe larg mikut të tij të dikurshëm si vëlla...

Nisma

Në një nga mbledhjet e Komisionit të Ekonomisë, kur ishte ende deputet, Koço Kokedhima iu drejtua kolegëve të tij me një propozim asfare të zakonshëm; “Të legalizojmë hashashin”. Ishte viti 2014. Ndanin pak muaj nga aksioni në Lazarat, dhe socialistët ende nuk ishin shkëputur nga euforia ngazëllyese.

Kokëdhima, u kundërshtua aty për aty nga Anastas Angjeli, se nuk ishte momenti. Erion Braçe, (sot zv-kryeministër) asokohe në krye të komisionit të Ekonomisë ironizoi: “…doni të jeni në qendër të vëmendjes në gazeta nesër…”. Por ky nuk ishte qëllimi i një dite i Kokëdhimës.

Projekti konkret dhe këmbëngulës nga ana e tij kish filluar të tulaste jo pak PS-në. Atëbotë, Rama dhe Kokëdhima vijonin një marrëdhënie të ngushtë miqësie prej më shumë se një dekade…

…Mbrëmë, Rama me dashje apo pa, në rr0kupujën e çdo gjëje që ka lidhje me Covid-19 u pyet nga gazetari Arjan Cani nëse duhej legalizuar hashashi meqënëse kishte dëgjuar se shëronte edhe këtë virus. “Atë pa leje nuk e lejojmë, atë me leje po e studiojmë se të tjerët e kanë bërë”, - tha Rama. A ishte kjo një ide? Jo. “Jemi shumë të avancuar, por akoma nuk jemi në kapitullin e fundit”. Për legalizimin?  “Jo! Për ligjërimin e prodhimit për arsye mjekësore. Sikur e kanë pothuajse të gjithë, disa e kanë më të hapur, por jo, kaq”, - u përgjigj Rama.

Në këto lojëra fjalësh për ligjerim dhe jo legalizim,  është koha për t’i thënë acik disa gjëra…

Kryetari i PS Edi Rama dhe deputeti Koco Kokedhima, gjate seances se pare te legjislatures se VIII te kuvendit te Shqiperise, ku u ngrit Komisioni i Perkohshem per Verifikimin e Mandateve.

Beteja e Koço Kokëdhimës

Beteja e Koço Kokëdhimës për të zgjidhur ligjërisht problemin me hashashin është shumë vjeçare dhe permanente...E tha në vitin 2014, por vijon me të njëjtin ritëm se, Shqipëria nuk ka një strategji dhe vizion për të zgjidhur problemet me kanabisin.  Ka propozuar reformim të plotë të legjislacionit penal për përdoruesit e drogës. Kokëdhima ka kërkuar legalizimin e kanabisit farmaceutik duke re nditur mbi 100 sëmundje që, sipas tij, kurohen me nënprodukte të kanabisit.

A ishte ky një propozim në qiell të hapur nga ai? Jo. Kokëdhima i referohej fillimisht nevojës së ndërtimit të strategjive dhe ngritjes së komiteteve për implementimin e kanabisit farmaceutik bazuar nga eksperienca e vendeve të afërta me ne si Kroacia, e deri tek Shtetet e Bashkuara. Së fundmi këtë e ka bërë edhe fqinji ynë, Maqedonia e Veriut.

Prodhimi i kanabisit farmaceutik, sipas tij, do të lëvronte shumë të ardhura dhe do të rriste punësimin. “…Ne nuk marrim asnjë lek mbrapsht nga ekonomia e kanabisit, sepse ne nuk kemi një ekonomi formale. Ekonominë e kanabisit e zotërojnë vetëm trafikantët dhe ilegalët…”, këmbëngul vazhdimisht Kokëdhima

Dilema e Ramës

Kryeministri Edi Rama nuk foli asnjëherë hapur për propozimin e Koço Kokëdhimës. Ky i fundit disa herë la të kuptohej se Rama mendonte si ai, duke e justifikuar heshtjen e mikut të tij me argumentin e diçkaje të parakohshme. Tre vjet më parë, Kokëdhima pranoi hidhur se projekti i tij nuk ishte pranuar nga Rama.

“Është herët për të folur për këtë temë, fillimisht duhet të kemi kontroll të plot, të kemi edhe shtet…”, ishte kundërpërgjigja e Ramës në një nga daljet e tij tek Ermal Mamaqi.

Rama ia la kohës këtë debat, por jo qëndrimet ndaj Koço Kokëdhimës. Rama nuk foli, por folën shumë syresh në PS. Rama nuk ndali asnjëherë romuzet e Erion Braçes për këtë çështje apo ndonjë socialisti tjetër të “vjetër” në PS. Ai nuk e mbylli këtë debat me një “marrëveshje gentilmenësh” sa kohë që ishte trazuar nga ideja. Jo dhe jo. Rama nuk e ndaloi as “yllin në ngjitje” të qeverisë, ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri që në ceremoninë e diplomimit të 500 studentëve të rinj të Policisë, (viti 2015) ai t’i drejtohej Kokëdhimës në distancë. “… Ata që kanë marrrë kurajo për të mbjellë kanabis të nxitur edhe nga debatet për legalizimin e hashashit, u bëj thirrje të mos i hyjë njeri rrugës së krimit duke mbjellë kanabis sepse asnjë rrënjë në tokë e nëntokë, nuk do lejohet…”. Ishte ky premtimi i Saimir Tahirit i duartrokitur nga studentët dhe i shpërndarë edhe nga zyra e Partisë Socialiste.

Ish Ministri i Brendshem Saimir Tahiri dhe ish deputeti i PS Koco Kokedhima gjate nje seance parlamentare

Rama nuk ndaloi as shefat e urgjencave të mbushnin ekranet se, “licensimi do të shtonte ndjeshëm përdoruesit e veçanërisht të rinjtë që kishin dalë jashtë kontrollit”.

Koço Kokëdhima e pa veten të vetëm në këtë nismë edhe kur Këshilli i Rregullores po i hiqte mandatin dhe ai deri në momentin e fundit po përpiqej të mbushte mendjen se legalizimi i kanabisit ishte bash një pikëpamje ideologjike e të majtës europiane.

Kokëdhima mbeti zëri “eremit” i së majtës për kanabisin, i mbështetur iroinikisht në mënyrë virale vetëm nga një “çun vlore” që pak vite më parë i këndonte shtetit: “…Të lutem o shtet ju mos na ngacmoni, po patët dëshirë hashashin legalizoni,..”

Po sot që foli kryeministri?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë