Dosje

‘Kokaina’, si shpëtojnë trafikantët dhe kapen shoferët. A po na besojnë partnerët ndërkombëtarë për të hetuar?

Përdorimi krejt hapur i kokainës në Shqipëri, duhet të ishte një kambanë alarmi dhe një indicie për policinë, e cila duhet të ndryshonte urgjent strategjinë për goditjen e krimit të organizuar.

Disa herë, Gazetasi.al, ka raportuar se si kokaina ka pushtuar edhe zonat periferike, duke u zhvendosur nga një drogë e biznesmenëve dhe artistëve, në mallin e kërkuar edhe nga grup mosha të reja.

Këto të dhëna, sipas ekspertëve, tregojnë se trafikantët po fusin në Shqipëri ngarkesa që më pas tranzitohen drejt Evropës.

Por operacionet e papërfillshme dhe të pa konsiderueshme, tregojnë se policia shqiptare në asnjë rast nuk ka shkuar përtej shoferëve dhe administratorëve.

Hetimi më i rëndësishëm, edhe ai i drejtuar nga DEA amerikane, vijon të jetë “Dosja kokaina” e vitit 2001. Çdo sasi e vogël apo e konsiderueshme ngarkesash që u godit gjatë këtyre viteve, nuk mori asnjëherë përmasat e shkërmoqjes së rrjeteve ndërkombëtare apo me baza të forta në Shqipëri.

Dy vitet e fundit, operacione episodike që ekspozojnë biznese të eksportimit të frutave ekzotike, konfirmojnë se Porti i Durrësit në veçanti, është kthyer përfundimisht në pikën prej nga ku droga futet në Evropë. Por shqiptarët e parë që u identifikuan në krijimin e një rrjeti narko-trafiku pas lidhjeve në Kolumbi, vijojnë të jenë Sokol Koçiu, Frederik Durda e të tjerë që testuan vigjilencën e autoriteteve, duke futur së pari ngarkesa të papërfillshme.

Sipas burimeve shumë të sigurta të Gazetasi.al, del se vetëm në Ekuador janë zhvendosur dhe jetojnë 180 shtetas shqiptarë, disa prej të cilëve konsiderohen si pikat e forta të kontaktit dhe të lidhjeve me trafikantë vendas që pranojnë të dërgojnë drejt Evropës ngarkesa nën garancinë se ata nuk do të zbulohen.

Hasan Salihu (majtas) dhe Gëzim Kalaja, shoferët e kamionit me banane në magazinat e firmës në Vaqarr, ku u zbuluan 119 kg kokainë

Rasti i fundit, "Romanati"

Rasti më i fundit i aksionit “Romanati”, ku dhe u zbuluan 119 kilogramë kokainë, përsëri flet për një rrjet të organizuar, i cili i ka fshehur pakot në paletat me 20 tonë banane, por që policia dhe antidroga u vunë në lëvizje pas telefonatës së shtetasit Trifon Murataj, i cili në dëshmitë e administruara, telefonoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano dhe ky i fundit ia delegoi çështjen drejtorit të Policisë Kriminale, Tonin Vocit.

Fashikulli që mban proces-verbalë të vendngjarjes, tregon se si i vetmi shqetësim i pronarit të firmës “Zico sha”, ishte anomalia e ngarkesës së porositur me banane që hyri në Portin e Durrësit në datën 27 dhjetor, ku vartësit e tij shkuan ta tërheqin atë në datë 28 dhe me dy ditë diferencë policia shkoi në Vaqarr në datë 30, ku gjendet selia e firmës.

Me Hasan Saliun në burg, Marson Muratajn dhe Gëzim Kalajan, rrëfimet e të cilëve u dëgjuan dhe u administruan nga policia dhe më pas u arrestuan, policia nuk mundi të shkojë përtej kushteve të flagrancës, duke rritur premisat që edhe kjo çështje të mbetet realisht pa trafikantët e vërtetë në burg.

Më herët, rrjetet e pazbuluara lidhen edhe me ngarkesa të tjera kokaine të futura në kontejnerë me banane të firmës ‘Alba exotic fruit”, administrator i të cilës, Eduart Dauti, vijon të jetë një i shumë kërkuar nga Policia e Shtetit.

Vetëm kësaj kompanie i janë bllokuar në total përgjatë një viti, 5 ngarkesa me kokainë, teksa më herët, në zbulimin e ngarkesave ishte përfshirë edhe DEA (Agjencia Amerikane në Luftën Kundër Drogës) mbi zbulimin e një ngarkese në Pire të Greqisë.

Si dështoi Shqipëria

Alarmi se Shqipëria po kthehej në portë të kokainës, u dha tre vjet më parë nga drejtësia gjermane, e cila në të vërtetë kishte dalë e zhgënjyer më herët nga një bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë për goditjen e një rrjeti që ngriti fabrikën e kokainës në Xibrakë.

Në këtë hetim, që nisi nga vendosja e një GPS-i në mjetin e një shqiptari që udhëtoi nga Gjermania drejt Tiranës, gjermanët ishin të bindur që rrjeti ishte mjaft i gjerë, midis të cilëve ra në pranga edhe nipi i ish-diktatorit, Ermal Hoxha.

Por policia në atë kohë nuk shkoi përtej, duke mos arrestuar personin e konsideruar si “Elefanti”, por edhe persona të tjerë që përmendeshin në përgjime. Në vitin 2019, pasi kishin dalë nga kjo eksperiencë, gjermanët goditën 6 shtetas shqiptarë në Memingen, të cilët bllokuan 500 kilogramë kokainë në një magazinë ku priteshin bananet dhe fill pas kësaj, në një raport vjetor, gjermanët pranuan se trafiku i kokainës që shqiptarët kryenin në këtë vend, zinte 93 përqind të aktivitetit të tyre të paligjshëm.

Por edhe DEA amerikane, e pabindur se i duhej dhënë besim policisë shqiptare, organizoi një operacion bllokimi droge, në të cilën kishte zëvendësuar kokainën me oriz.

Trafikanti, i cili vijon të jetë në kërkim, hyri në Portin e Durrësit lehtësisht për ta tërhequr ngarkesën, por kur kuptoi se pakot kishin GPS, e flaku lëndën narkotike dhe u arratis.

Operacione të tilla të dështuara, ku kryeson ngarkesa prej 613 kilogramë kokainë, për të cilën u kapën vetëm tre persona, nuk i dhanë asnjë përgjigje hetimore çështjes se ku do shkonte ngarkesa, nëse Arbër Çekaj ishte apo jo trafikanti kryesor dhe nëse dy të tjerët ishin thjesht ushtarë të tij, apo shoferë të pafat që ngecën në hetim, ngaqë policia nuk mundi të gjejë të tjerët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë