Futboll

Koha që një portier të fitojë Topin e Artë? Alison është gati

Për një periudhë 10-vjeçare trofeu më prestigjioz individual në botën e futbollit, “Topi i Artë” ishte një vlerësim ekskluziv për dy njerëz. Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi e fituan këtë trofe nga 5 herë 2018-ta ishte viti që shënoi fundin e këtij dueli, por edhe për këtë vit pak gjasa ka që njëri prej tyre të rikthehet në majën e botës. Me rrëzimin nga froni i Mesit dhe Ronaldos në skenë kanë dalë disa emra për “Topin e Artë”. Muhamed Salah, Virxhil Van Dajk, Kilian Mbape, por edhe Alison Bejker, janë disa nga futbollistët që po përfliten nga mediet si fitues të mundshëm të këtij trofeu.

Por a ka ardhur koha që “Topi i artë” të shkojë në duart e një portieri?

Hera e parë dhe e fundit që një portier fitonte “Topin e Artë” ishte viti 1963. Ishte rusi Lev Jashin që e fitoi këtë trofe individual, pasi kishte qenë protagonist i një sezoni spektakolar me kombëtaren e Rusisë dhe me Lokomotivën e Moskës. Që nga ajo kohë, shumë portierë të zotë ka pasur ndër vite që kanë bërë historinë e futbollit, por nuk kanë arritur që ta fitojnë atë trofe. Dino Zof në vitin 1973 dhe Olver Kan në vitet 2001-2002, janë dy gardianët që i janë afruar më shumë fitimit të “Topit të Artë”. Më pas gjithë të tjerët, Xhixhi Bufon, Iker Kasijas apo edhe Manuel Nojer janë përfolur në mesin e lojtarëve që mund ta fitojnë çmimin prestigjioz, por ai gjithmonë ka shkuar në duart e një sulmuesi apo një mesfushori të dalluar.

Me brazilianin Alision Bejker historia është ndryshe. Në dy vitet e fundit te Roma dhe Liverpul gardiani 26-vjeçar ka provuar që të jetë portieri më i mirë në botë. Trofeu i Ligës së Kampionëve me Liverpulin, një sezon fantastik në Premier Ligë dhe “qershia mbi tortë” trofeu i Kupës së Amerikës kanë parë një Alison protagonist dhe gjithmonë në mesin e më të mirëve. Nëse vitin e shkuar Liverpuli shkoi në finale dhe e humbi për shkak të portierit dhe gafave të tij. Këtë vit Klop portierin e kishte pikën më të fortë, nga ku nisej çdo aksion i ekipit të tij. Me 12 gola të pësuar në Champions League, dhe vetëm 22 në gjithë kampionatin anglez, Alsion Bejker ishte një garanci e madhe për Liverpulin në ecurinë e tij drejt suksesit në sezonin që u la pas.

Por me kombëtaren e Brazilit, Alsion ishte akoma dhe më shumë fantastik. Vetëm një gol dhe ai i pësuar në finale me penallti nga VAR e bëjnë monumentale paraqitjen e gardianit 26-vjeçar. Për momentin është i padiskutueshëm si portieri më i mirë në botë, por Alsion ka edhe shansin për “topin e artë”. Arsyet janë tre sipas medieve ndërkombëtare. Në fillim është forma spektakolare e Alison Bejker në sezonin që lamë pas dhe dy trofe prestigjioz në nivel ekipor, ku ai ka qenë gjithmonë protagonist. Mesi dhe Ronaldo kanë fituar shumë pak në krahasim me të, madje argjentinasin, Alison e mundi në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës. Ndërsa arsyeja e tretë që e favorizon ka të bëjë me shokët e ekipit, pasi si Van Dajk edhe Muhamed Salah nuk kanë fituar asgjë me ekipet e tyre kombëtare. Holandezi u mund në finalen e Uefa Nations League dhe egjiptiani u largua që në çerekfinalet e Kupës së Afrikës.

Të gjitha këto janë arsyet që shtyjnë drejt Bejker drejt trofeut të lakmuar të “Topit të Artë”, por për të parë një gjë të tillë të ndodhë, do duhet të presim dhjetorin, me shpresën se votimi do të jetë i drejtë dhe do i marrë parasysh të gjithë arritjet e brazilianit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë