Kombetarja

Koha justifikon masat ekstreme të sigurisë në ndeshjen me Izraelin

Në mbrëmjen e lagësht të 12 nëntorit 2016, Shqipëria priste në Elbasan Arena kombëtaren e Izraelit. Ndeshja u zhvillua nën masa të forta sigurie, që u bënë edhe shkak të krisjes përfundimtare të marrëdhënieve mes Tifozëve Kuqezi dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.

Ndeshja ishte parashikuar të zhvillohej në "Loro Boriçi" të Shkodrës, por u zhvendos në moment të fundit për shkaqe sigurie.

Sot, kur kanë kaluar thuajse dy vite nga ajo ndeshje e kontestuar brenda dhe jashtë fushës, koha duket si i ka dhënë të drejtë policisë dhe federatës për masat e marra.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me 35.5 vite burg tetë persona dhe me gjobë një të nëntë, që u shpallën fajtorë për akuzën e planifikimit dhe organizimit të një sulmi terrorist ndaj kombëtares izraelite.

Visar Ibishi u dënua me dhjetë vjet burg dhe u gjobit me 1,800 euro, Lulzim Gashi me gjashtë vite burg, Leutrim Vojvoda dhe Flamur Gashi me nga pesë vjet, Leutrim Musliu me tre vjet e gjashtë muaj, Burim Istrefi me tre vjet burg dhe Kenan Plakaj e Arton Ahmeti me nga 18 muaj burg. Besart Peci u gjobit me 2500 euro.

Për sigurinë në atë takim u angazhuan si rrallëherë edhe forcat speciale RENEA

Pas ndeshjes, që u fitua nga Izraeli me rezultatin 0-3, Policia e Kosovës arrestoi 19 persona, prej të cilëve 18 shqiptarë të Kosovës dhe një shtetas maqedonas.

“Këta persona po planifikonin akte terroriste në Republikën e Kosovës dhe kundër ekipit të futbollit të Izraelit dhe tifozëve të tyre, që morën pjesë në ndeshjen Shqipëri-Izrael”, deklaronte Policia e Kosovës në atë kohë.

Sulmet, sipas Policisë së Kosovës u parandaluan dhe autorët u neutralizuan falë bashkëpunimit të agjencisë së inteligjencës së Kosovës me autoritetet në Shqipëri dhe Maqedoni.

Gjatë arrestimeve u gjetën sasi të konsiderueshme të eksplozivësh, përfshirë 281 gramë tritol, 2,5 kg lëndë të tjera shpërthyese, si dhe armë personale dhe pajisje komunikimi me radio. Grupi koordinohej nga dy shtetas të Kosovës, që luftonin për ISIS-in në Siri e Irak në atë periudhë.

“Personat e arrestuar ishin ndarë në disa grupe dhe po koordinoheshin nga dy operativë të Kosovës për Shtetin Islamik, ISIS, Lavdim Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi”, sqaronte Policia.

Të dy të lartpërmendurit u bënë të njohur falë videove kërcënuese që kanë publikuar në internet, ku kërcënonin si Shqipërinë, ashtu edhe Kosovën si ndëshkim për mbështetjen që qeveritë respektive dhanë për koalicionin anti-ISIS.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë