Futboll

Kodi i etikës tek Italia, Mançini në dilemë për dy talente

Në kohën e Çezare Prandelit u quajt “kodi i etikës” tek Italia. Tani nuk ekziston më ai kod, por realisht vazhdon të zbatohet. Në kombëtare shkohet, kur e meriton atë fanellë, në fushë dhe jashtë saj. Për këtë arsye, Nikolo Xaniolo dhe Moise Kin, mund të mos grumbullohen nga trajneri Roberto Mançini për ndeshjet kualifikuese të Europianit më 5 dhe 8 shtator ndaj Armenisë dhe Finlandës. Janë ndeshje të rëndësishme në grup dhe trajneri i Italisë po mendon t’i lërë jashtë ekipit të dy talentet.

Pse? Dy lojtarët e rinj, në qershor gjatë Europianit U-21, nuk kanë shkëlqyer, nuk kanë qenë të disiplinuar dhe nuk kanë pasur frymën e grupit. Kanë shkuar me mungesë në grumbullim dhe kanë pasur një sjellje që nuk ishte në linjë me respektin ndaj kolektivitetit. Në ndeshjen e fundit, trajneri Di Biaxho nuk e aktivizoi sulmuesin Kin, por e mbajti në stol. Të njëjtën gjë do të kishte bërë edhe me Xaniolon, nëse nuk do të ishte i skualifikuar. Mançini dhe stafi i tij po vlerësojnë situatën për t’i lënë jashtë dy djemtë rebelë nga dy ndeshjet e radhës. Për më tepër, Kin dhe Xaniolo nuk kanë qenë korrektë edhe gjatë grumbullimit të Italisë në Koverçiano. Vlen të përmendet edhe fakti se dy vjet më parë, kur ishte me Italinë U-19, Kin u përjashtua për arsye disiplinore.

Moise Kin dhe Nikolo Xaniolo, dy talentet e Italisë. Gazeta Si, 28 gusht 2019

“Kur je i ri mund të bësh gabime, por Xaniolo dhe Kin nuk duhet të harrojnë se çfarë shansi i madh u është dhënë. Mund të gabosh, por duhet ta kesh mendjen në kokë”, - ka thënë trajneri Mançini gjatë një interviste të fundit. Qëllimi i tij, nëse vërtet do të veprojë me “dorë të hekurt”, është që të japë një shembull jo vetëm për ta, por për të gjithë të rinjtë e grumbulluar tek Italia. Por edhe për ata që pritet të grumbullohen, sepse sapo të sigurojë kualifikimin për në Europian, Mançini do ta zgjerojë grupin me të tjerë të rinj si Pinamonti, Espozito dhe Sotil.

Çfarëdo vendimi që do të marrë trajneri Mançini, do të ketë diskutime. Kështu ka ndodhur edhe në kohën e Prandelit, kur nuk u grumbulluan Daniele De Rosi, Matia Destro dhe Dani Osvaldo. Nga ana tjetër, Kielini, i cili i dha një goditje me bërryl Pjaniçit, që trajneri Mançini e quajti “jo të dhunshme”, edhe pse i kushtoi mbrojtësit 3 ndeshje skualifikim, u përfshi në listë për Botërorin e 2014-ës. Për të mos folur për Balotelin, sjellja e të cilit ka qenë gjithmonë e diskutueshme. Bëma e tij e fundit ishte ai bast prej 2000 eurosh për t’u hedhur në ujë me motor. Sulmuesi duhet të reflektojë, nëse dëshiron ta veshë sërish fanellën e Italisë. Baloteli ende nuk ka zbritur në fushë me Breshian, pasi nga Franca erdhi me një skualifikim prej 4 javësh, për shkak të kartonit të kuq të marrë ndaj Montpeliesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë