Kosova

Knaus: Kosova ta dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese, para votimit në maj

Nga Gazeta 'Si'- Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë se votimi pro Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, është “sinjali më i fuqishëm i mundshëm” që mori vendi në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë.

Por, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se qeveritë e shumë shteteve nuk kanë vendosur ende se si do të votojnë në maj - kur pritet vendimi përfundimtar.

Andaj, Kosova duhet të bëjë disa “befasi pozitive” në javët e ardhshme, thotë ai.

“Këshilla ime do të ishte ta dërgonte draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese”, thotë Knaus, ndër të tjera.

Asmableja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi mbrëmjen e së martës pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Megjithatë, disa deputetë theksuan se vendi duhet të ndërmarrë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përpara votimit përfundimtar në maj.

Knaus thotë se themelimi i këtij asociacioni “pa pjesëmarrjen e atyre për të cilët bëhet, nuk është i mundur”.

“Pra, duhet të jemi të drejtë - ka gjëra që Qeveria e Kosovës mund t’i bëjë dhe ka gjëra që nuk mund t’i bëjë”, thotë ai, organizata e të cilit ka publikuar së voni një dokument për rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës. Shumë qeveri i referohen Asociacionit. Mos të harrojmë se edhe Qeveria e Kosovës ka thënë se është në favor të ndërmarrjes së hapave drejt Asociacionit. Por, pyetja është: çfarë do të thotë kjo?

Asambleja Parlamentare ka thënë se themelimi i Asociacionit nuk mund t’i vendoset si parakusht Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës. Ka një arsye shumë të thjeshtë përse nuk mund të bëhet kjo. Qeveria e Kosovës nuk mund ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe pa pjesëmarrjen e serbëve. Aktualisht, katër komunat me shumicë serbe në veri nuk kanë kryetarë serbë, sepse ata kanë dhënë dorëheqje dhe, pastaj, i kanë bojkotuar zgjedhjet. Tani, ata po i bojkotojnë përpjekjet që çojnë në zgjedhje të reja.

Nëse nuk keni kryetarë serbë në komunat me shumicë serbe, që janë përgjegjës për të biseduar me Qeverinë, ju nuk mund ta krijoni këtë asociacion", deklaroi ai.

Knaus shtoi se do të ishte e dobishme që Qeveria e Kosovës, në të ardhmen e afërt, të tregojë se çfarë është e gatshme të bëjë, që njerëzit ta shohin se kjo nuk ka të bëjë vetëm me anëtarësimin në Këshill të Evropës, por edhe me përmirësimin e të drejtave të njeriut për të gjithë në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë