Treg

KLSH zbulon skandalin: Mijëra kg ushqime të skaduara në tregje

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se në tregjet shqiptare dyshohet se janë shitur ushqime jashtë standartit për të cilat Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka pasur dijeni, por nuk ka ndërhyrë.

Burime të KLSH-së, shprehen se në raportin e fundit që pritet të bëhet publik shumë shpejt, thuhet se inspektorët e AKU-së nuk kanë vepruar dhe mallrat ose nuk janë tërhequr fare nga tregu, ose nuk dihet se çfarë është bërë me to. Në auditimin e KLSH gjatë periudhës 2018-2020, thuhet se 20,525 kg yndyrë vegjetale është shitur në treg si gjalp.

Ndërkohë që ishte parashikuar tërheqja e mallit nga tregu, KLSH ka konstatuar se nuk ka pasur informacion se çfarë është bërë me këtë sasi.

Në dokument thuhet, se mbi 9 mijë kg produkte të ndryshme dhe 4,242 litra vaj janë shitur, por analizat laboratorike të kryera më pas kanë treguar se produktet kanë qenë jashtë standardit dhe se asnjë nga to  nuk u tërhoq nga tregu.

Ndërkohë, në mbi 10 raste është konstatuar se produkti i mishit, i cili është konfiskuar gjatë inspektimit të subjekteve, të cilat kanë qenë në shkelje të ligjit nga inspektorët, është dërguar në ambientet e subjekteve private në një kohë që këto subjekte janë vetë objekt inspektimi nga Drejtoria Rajonale Autoritetit Kombëtarë Ushqimor në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë