Treg

Raporti i KLSH: Midhjet që hamë nuk kontrollohen

Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka cilësuar si të dështuar politikën e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për plotësimin e kuadrit ligjor të peshkimit dhe akuakulturës.

KLSH thotë se MBZHR nuk ka hartuar dhe miratuar një sërë aktesh nënligjore dhe se ligji i Akuakulturës i miratuar në vitin 2016 ende nuk ka gjetur zbatim si rezultat i mosmiratimit të Zonave të Përcaktuara për Akuakulturë, duke penguar kështu zhvillimin e këtij sektori.

Në raportin e publikuar nga KLSH-ja, theksohet se anijet e peshkimit kryejnë aktivitet pa qenë të pajisura me pajisjen përkatëse të identifikimit dhe lokalizimit automatik. Gjithashtu Inspektorati i Peshkimit nuk ka burime njerëzore të mjaftueshme dhe mjete logjistike të përshtatshme e bashkëkohore për të inspektuar të gjithë vijën bregdetare që ka vendi ynë, sipërfaqen e ujërave të brendshme dhe zinxhirin e aktivitetit.

Një tjetër pikë e kritikë e fortë që theksohet në raport lidhet me portet e peshkimit të vendit tonë, që sipas KLSH-së menaxhohen në mënyrë jo efektive dhe kanë probleme të dukshme në infrastrukturë.

“Asnjë nga katër portet e peshkimit nuk ka kapacitet e duhura ankoruese për të gjithë flotën e peshkimit”, thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Problemet nuk janë vetëm në infrastrukturë, por edhe për sa i përket kontrollit. KLSH-ja ngre alarmin se në qendrën e grumbullimit në Sarandë sasia e midhjeve të hedhura në treg nuk klasifikohet dhe certifikohet nga kjo qendër sipas kërkesave ligjore.

“Konsumatorët konsumojnë midhje pa asnjë kontroll”, thuhet ndër të tjera në raport.

Një tjetër problematikë lidhet me rasatin e Koranit në Lin dhe Krapit në Zvezdë. “Ekonomitë e rritjes së rasatit të Koranit në Lin dhe Krapit në Zvezdë nuk furnizohen mjaftueshëm me ujë dhe cilësia e tij nuk është në parametrat e duhura. Ekonomia e Linit nuk ka një mol i cili do të ndihmonte për të rritur efektivitetin e procesit të hedhjes së rasatit në liqen. Ekonomia e Zvezdës nuk punon me kapacitet të plotë pasi nuk arrin të furnizohet mjaftueshëm me ujë”, thuhet në raportin e KLSH-së.  

Raporti i plotë i KLSH


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë