Futboll

Klop ngre zërin kundër FIFA-s për Botërorin e Katarit: E padrejtë!

Gazeta Si – Prej më shumë se një shekulli futboll në Europë, kurrë nuk ka pasur një sezon si ky që po fillon. Vendimi i FIFA-s për zhvillimin e Kupës së Botës në Katar në nëntor-dhjetor për të evituar të nxehtin e shkretëtirës, i ndan në dysh kampionatet kombëtare dhe kupat e Europës.

Një mënyrë që nuk është parë kurrë më parë. As në raste dramatike, si lufta apo pandemia. Sezoni i pzakontë 2022-23 i detyron lojtarët të luajnë më shumë ndeshje. Finalja e Ligës së Kampionëve do luhet më 10 qershor 2023.

Vetëm një herë në histori është kaluar kjo datë. Ishte finalja inaugurale e Kupës së Kampionëve, që u luajt më 13 qershor 1956.

Foto ilustruese. Boterori i Katarit zhvillohet në dimër. Gazeta Si, 5 gusht 2022

Ndërprerja e kampionateve u pranua me rezerva nga klubet europiane në 2015-ën, kur FIFA vendosi ta spostonte eventin e saj kryesor në dimër.

Botërori luhet pas një programi Championsi të ngjeshur. Faza në grupe luhet më 6 shtator deri më 2 nëntor, 5 javë më parë se zakonisht. Për lojtarët do të jetë raskapitëse.

Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, e ka thënë gjithmonë qartë mendimin e tij. Ai ka ngritur sërish zërin kundër FIFA-s për situatën në fjalë. "Të gjithë e dinë që është e padrejtë, por askush nuk flet mjaftueshëm. Diçka duhet të ndryshojë", - thekson trajneri gjerman.

“Duhet të flasim në mënyrë korrekte dhe t’u themi FIFA-s, UEFA-s, Premier Ligës, FS-së: mjaft! Pjesa më e rëndësishme e futbollit janë lojtarët. Çdokush ka interesin e vet dhe kjo nuk i bën gjërat të lehta. Ky Botëror vjen në momentin e gabuar, për motivin e gabuar”, thotë më tej Klop.

Selia e FIFA-s. Gazeta Si, 5 gusht 2022

Sindikata ndërkombëtare e futbollistëve, FIFPRO, evidenton rreziqet për shëndetin e lojtarëve: "Shtimi i ndeshjeve për shkak të mungesës së bashkëpunimit të organizatorëve të ndryshëm, është e dëmshme për shëndetin dhe paraqitjen e lojtarëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë