Gazeta Si - Jurgen Klop, trajneri i Liverpulit, nuk e njeh shumë diplomacinë. Gjermani e thotë troç atë që mendon, siç ka bërë gjithmonë kur është fjala për të mbrojtur futbollistët. Ai ka prekur sërish çështjen e ndeshjeve të shumta sezonale.
Liga e Kombeve nuk i ka pëlqyer kurrë trajnerit gjerman. Klop nuk e ka fshehur asnjëherë kundërshtimin për këtë kompeticion, sipas tij, krejtësisht i kotë.

“Liga e Kombeve është një nga idetë më qesharake të botës së futbollit, - ka theksuar Klop. – Dhe të mendosh që futbollistët, pas 70 ndeshjesh sezonale, janë të detyruar të luajnë edhe ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Luhen katër, pesë apo gjashtë ndeshje me kombëtaret… Do të preferoja që UEFA të merrte më shumë para nga finalja e Ligës së Kampionëve dhe të hiqte dorë nga ky kompeticion".
Klop, por edhe shumë trajnerë të tjerë në fakt, gjykojnë se futbollistët po stërmundohen. Për këtë arsye, ndeshjet e Ligës së Kombeve, që kanë zëvendësuar miqësoret, duken të tepërta. Më shumë këtë pjesë e vuajnë klubet që kanë më shumë lojtarë në kombëtare. Liverpuli është një prej tyre.
Edicioni i ri i Ligës së Kombeve nis në muajin qershor. Shumica e Kombëtareve luajnë tri ndeshje brenda pak ditësh dhe ky fakt i shqetëson jo pak trajnerët e ekipeve të mëdha, me në krye Klop. Lojtarët vijnë pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm, duke rrezikuar dëmtimet në këto ndeshje.

Shqipëria do të ketë dy ndeshje në muajin qershor në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë do të ndeshen me Izraelin dhe Islandën, pasi Rusia është përjashtuar nga aktivitetet ndërkombëtare nga UEFA.
Sezoni i ardhshëm do të jetë ndryshe nga të tjerët në fakt. Botërori i Katarit është programuar të zhvillohet në muajt nëntor dhe dhjetor, duke prishur ndoshta ecurinë e kampionateve. Është hera e parë që një Kupë Bote zhvillohet në dimër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.