Komunitet

Kleri: Pro mbylljes së kazinove, trajtim për ata që kanë varësi

Komunitetet fetare në Shqipëri, myslimane, ortodokse dhe katolike përshëndesin vendimin e qeverisë për mbylljen e kazinove dhe pikave të bastit në qendrat e banuara. Prej vitesh shqetësimi i klerit shqiptar ka qenë objekt i ligjërimeve të tyre, duke i bërë thirrje shqiptarëve që të heqin dorë nga këto vese, pasi po dëmtonin ekonomikisht familjet dhe futur në një krizë të madhe sociale, duke u kthyer në skllevër të këtij pasioni.

“Ky është një vendim i mirëpritur dhe i gëzueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe një masë e rëndësishme në mbrojtjen e të rinjve nga rënia në kthetrat e këtyre veseve që sjellin dëme të pariparueshme në familje dhe në shoqëri. Duke parë rëndësinë e kësaj nisme, KMSH shpreson që instancat përkatëse do të veprojnë maturisht si për parandalimin e lojërave të fatit ashtu edhe të çdo fenomeni që është në dëm të qytetarëve. Ne inkurajojmë dhe jemi përkrah çdo nisme, e cila i shërben shoqërisë shqiptare dhe që sjell zhvillim dhe mirëqenie në vendin tonë.  Gjithashtu, përkrahim dhe inkurajojmë qeverinë dhe instancat shtetërore në luftën pa kompromis kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar, të cilat janë të ndërlidhura dhe cenojnë sigurinë dhe paqen sociale në vend”, deklaroi Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në lidhje me këtë vendim të qeverisë.

Kisha Katolike në reagimin e saj, duke vlerësuar këtë vullnet të shprehur nga qeveria, bën të ditur se në të kaluarën ne ka organizuar, edhe në bashkëpunim me fetë e tjera, takime rreth këtij fenomeni shqetësues. Kujtojmë simpoziumin e organizuar në Shkodër vitin e kaluar me praninë e krerëve fetarë të atij qyteti dhe të autoriteteve civile.

“Lojërat e fatit bëhen moralisht të papranueshme, kur e lënë personin pa atë që është e nevojshme për të përballuar nevojat vetjake dhe të tjetrit. Pasioni për lojën rrezikon të bëhet një skllavëri e rëndë”  shprehet katekizmi i Kishës Katolike në nr 2413.

Kisha Katolike ndërkohë kërkon që të veprohet edhe në rrafshin tjetër, jo vetëm në mbylljen e këtyre qendrave të lojërave të fatit, por të krijohet mundësia që njerëzit që kanë krijuar varësi të trajtohen. “Ne jemi të vetëdijshëm se e vetme kjo nismë është e pamjaftueshme nëse nuk bëhen përpjekje për përballjen me dukurinë e ludopatisë, nëpërmjet hapjes së qendrave dhe klinikave të specializuara ku trajtohen personat e përfshirë në këtë lloj varësie e cila tashmë klasifikohet si një sëmundje nga OBSH. Gjithashtu bëhet urgjent dhe i nevojshëm evidentimi i situatave të rënda familjare dhe krijimi i programeve mbështetëse për rimëkëmbjen ekonomike të këtyre familjeve nga ana e shtetit dhe e strukturave të tjera.  Ne ofrojmë mbështetjen dhe ndihmën tonë që ky problem të gjejë një zgjidhje sa më afatgjatë dhe integrale dhe urojmë të mos jetë thjesht një retorikë politike”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga imzot  Gerorge Frendo dhe imzot Gjergj Meta.

Për Kishën Ortodokse lojërat e fatit janë në kundërshtim me moralin e krishterë, që kundërshton çdo fitim të pandershëm në dëm të qytetarit, familjes edhe shoqërisë.

“Pavarësisht se lojërat e fatit duken si argëtim ato në vetvete janë shkak i shumë fatkeqësive shoqërore, sepse: Zakonisht në këto lojëra lozin edhe rrezikojnë më shumë njerëz që i kanë paratë të fituar në mënyrë të lehtë, abuzive, me vjedhje, drogë, prostitucion, tregti e pandershme, krime etj. Kjo nxit kriminalizimin e shoqërisë dhe një ekonomi informale. Personat që bien viktima në spiralen e lojërave të fatit janë të të gjitha shtresave të shoqërisë, duke filluar nga të pasurit, shtresa e mesme, të varfrit, që pothuajse të gjithë humbasin dhe varfërohen, kurse të varfrit humbin edhe lekët e bukës. Ajo që vihet re në lojërat e fatit është se më shumë luajnë të rinj, sepse vetë mosha i bënë të jenë aventurier, që dëshirojnë të fitojnë para pa punuar, duke u rritur si një brez dembelesh dhe të pa aftë për punë të ndershme dhe profesionale”, deklaroi Miron Çako, përgjegjësi i Zyrës Katekizmit pranë Kryepiskopatës KOASH Tiranë

Gjithashtu theksohet se ky fenomen negativ ka ndikuar në marrëdhëniet familjare, duke sjellë vështirësi ekonomike, produktivitet të ulët të punës, humbje të punës, falimentim biznesesh, prishje të marrëdhënieve në çift dhe familjen.

“Kumari ndikon në 8 % të divorceve në Shqipëri. Lojtari, që humbet zakonisht, zhytet akoma më shumë në borxhe. Dhe për të rifituar paratë e humbura bie në mashtrime, vjedhje deri në krime. Rrëzohet në dëshpërim, depresion deri në vetëvrasje. Gjithashtu statistikat e vartësisë nga kumari tregojnë një zhvillim të lartë të llojeve të caktuara të sëmundjeve mendore, disa prej të cilave përfshijnë: çrregullime depresioni, çrregullime ankthi, çrregullime të përdorimit të substancave narkotike, çrregullimi antisocial i personalitetit. Kjo vartësi patologjike i ngjan vartësisë së abuzimit me substanca narkotike dhe pijeve alkoolike, që janë të lidhura me njëra- tjetrën, dhe kështu bëhet një rreth vicioz për lojtarët e kumarit. Shkrimi i Shenjtë këtë lakmi e quan shkakun e gjithë të këqijave: “Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe duke e lakmuar atë fortë, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë fatkeqësi.”(Timotheu 6:10).  Përvoja shekullore e njerëzve që duan të dalin nga kurthi i lakmisë, duke qenë të varur nga lojërat e fatit, kumari, loto, bastet etj, tregon se rruga më e mirë dhe e sigurt është të besosh te Zoti i Gjithëpushtetshëm, të pendohesh dhe t`i kërkosh ndihmë për t`u çliruar nga kjo vartësi patologjike dhe të punosh me ndershmëri, sepse “Ajo që është e pamundur për njerëzit është e mundur për Perëndinë” ( Luka 18:27)”, thekson përfaqësuesi i Kishës Ortodokse.

Kisha Ortodokse, thekson më tej se “ajo lutet gjithmonë për qeverinë dhe mbarëvajtjen e vendit, për një shoqëri me vlera morale, larg vesit, lakmisë për para, lutet edhe mbështet këtë nismë të qeverisë, për të korrigjuar një gabim të toleruar deri tani, që solli shumë fatkeqësi edhe viktima në qendrat e banuara në Republikën e Shqipërisë”.

Përmes një njoftimi, edhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka mirëpritur me optimizëm iniciativën e qeverisë që sipas këtij komuniteti fetar ruan rininë dhe familjen larg veseve.

“U njoftuam nga mediat mbi iniciativën e fundit qeveritare lidhur me lojërat e fatit. Në këtë rast e shikojmë me optimizëm nismën, e cila u bashkohet vlerave të bektashinjve, për të ruajtur rininë dhe familjen tonë të pastër, larg veseve. Le të shpresojmë që nisma të tilla në dobi të shoqërisë të shtohen”, – thuhet nga Kryegjyshata Boterore Bektashiane


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë