Futboll

Klauzolë 150 mln euro, Milani nuk e lëshon Rafael Leaon

Gazeta Si - Rafael Leao ishte protagonist kryesor i ecurisë së Milanit drejt titullit të 19-të. Klubi kuqezi nuk do kurrsesi të privohet prej tij dhe në kontratën e re pritet të futë një klauzolë prej 150 milionë eurosh.

Emri i portugezit ka përfunduar në listën e shumë klubeve të pasura, ndaj dhe Milani ka menduar për një klauzolë të tillë. Drejtuesit e klubit italian kanë shumë besim se do të gjejnë akordin me Leaon për zgjatjen e kontratës deri në vitin 2026.

Rafael Leao, ylli portugez i Milanit. Gazeta Si, 24 maj 2022

Kontrata aktuale e sulmuesit skadon në 2024-ën. Lojtari ka një pagë prej 1.5 milionë eurosh në sezon. Një shifër që në fakt nuk i përgjigjet vlerës dhe rëndësisë së futbollistit. Prandaj dhe klubet e tjera duan të përfitojnë.

Konfirmimi i Mbape te PSG dhe kalimi i mundshëm i Dembele te kjo skuadër e zbehin pistën franceze. Interesi më i madh për Leaon është në Premier Ligë, me Mançester Sitin në krye, ndaj dhe Milani ka menduar për një klauzolë të lartë.

Klubi kuqezi është gati ta rritë pagën e lojtarit deri në 4.5 milionë euro, por pasi të ketë mbyllur marrëveshjen me ‘RedBird’. Pas këtij momenti do të mbyllen tratativat me 22-vjeçarin luzitan.

Për Leaon ka një problem ndërkohë me ish-klubin e tij. Sipas “Record”, Gjykata e Milanos ka vendosur për çështjen e lojtarit me Sportingun e Lisbonës. Leao duhet t’i paguajë klubit të tij të vjetër shifrën e 16.5 milionë eurove. Bashkë me interesat kjo shifër shkon në 20 milionë euro.

Sulmuesi i Milanit duhet të derdhë në arkat e Sportingut çdo muaj 20% të pagës, rreth 300 mijë euro në muaj. Çështja ka lidhje me vitin 2018, kur lojtari u transferua te Lila. Gjykatat portugeze dhe KAS-i deri tani nuk i kishin dhënë drejtim çështjes.

Rritja e vlerës së Leaos te Milani është e madhe. Klubi ka menduar për një kluazolë stratosferike, sepse nuk do ta humbë në asnjë mënyrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë