Futboll

Klauzola e rrallë që çoi Luis Figon nga Barcelona te Reali

Në historinë e futbollit janë disa tradhti, që nuk harrohen kurrë. Të largohesh nga një skuadër me polemika nuk është bukur, imagjinoni se çfarë ndodh pastaj kur shkon dhe vesh fanellën e armikut të përjetshëm… Një nga shembujt më domethënës të kësaj lloj tradhtie është ai i portugezit Luis Figo, i cili në vitin 2000 kaloi nga Barcelona te Real Madrid. Tani, në një intervistë për programin “Universo Valdano”, ai ka treguar detaje interesant në lidhje me këtë ngjarje.

Figo kaloi te Barcelona në vitin 1995. Ai nuk ka asnjë peng për zgjedhjen e bërë për ta nisur aventurën spanjolle në Katalonjë. “Kam kaluar 5 vite të mrekullueshme te Barcelona, si nga ana njerëzore, ashtu edhe nga ajo sportive. Diçka ndryshoi në vitin 2000. Kandidat për presidencën e Barcelonës ishte Gaspart, ndaj të cilit nuk kisha as besimin minimal. Mund të më kishte premtuar edhe hënën, por nuk do ta besoja kurrë”, - tregon ish-futbollisti portugez.

Momenti kur Luis Figo luante për Realin dhe sulmohej nga tifozët e Barcelonës, duke i hedhur një kokë derri në fushë

Ishte momenti, kur Real Madrid u hodh në sulm për Figon, duke parë problemet e tij me Gaspart. “Gjërat u vështirësuan derisa erdhi një moment që u firmos një akord me një nga kandidatët për presidencën e Realit (sipas të gjitha gjasave Florentino Perez, por Figo nuk e përmend emrin). Një akord, sipas të cilit, nëse nuk shkoja në Madrid, duhej të paguaja të gjitha kuotat vjetore të ortakëve të klubit”. Një histori e vërtetë, por, në mënyrë të pabesueshme, mungonte firma e Luis Figos. Në vend të tij kishte firmosur përfaqësuesi i lojtarit, i sigurt për kalimin e portugezit te Reali. Në atë kohë, Figo kishte vetëm një akord verbal. “Ajo që më bezdis më shumë ka të bëjë me ata që më thonë diçka kur jemi përballë dhe pastaj, pas shpine, ndryshojnë gjithçka. Këta persona ekzistojnë dhe janë problematikë”, - ka përfunduar Figo.

Portugezi ka zbuluar kështu disa detaje të reja në lidhje me një histori, që ka lënë shenjë te tifozët e Barcelonës. Kushedi çfarë do të kishte ndodhur në vitin 2000, nëse në presidencën katalanase nuk do të ishte Gaspart. Me siguri Figo do t’i kishte kursyer ato sulme dhe sharje të panumërta ndaj tij në “Camp Nou”, ku luante me pambuk në vesh. Mund t’ia kishte kursyer dikujt edhe hedhjen e një koke derri në fushë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë