Sociale

Kina i dhuron Shqipërisë 1 mijë teste për Covid-19

Kina ka vendosur të ndihmojë Shqipërinë për të përballuar epideminë, duke dërguar 1 mijë teste për Covid-19. 

Lajmi u konfirmua sot nga Instituti i Shëndetit Publik, që e vlerësoi ndihmën e Kinës si një gjest bujarie nga një vend i madh me një zemër akoma më të madhe.

"Instituti i Shëndetit Publik falënderon ambasadën kineze në Tiranë për mbështetjen që na dha sot duke dhuruar teste për COVID-19. Falenderime dhe mirënjohje pa fund qeverisë kineze për kujdesin e treguar ndaj popullit shqiptar!" shkruan ISHP.

Dy ditë më parë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi se qeveria shqiptare ka porositur dhe pret që këtë javë të vijnë 10 mijë tamponë.

Deri tani i vetmi laborator për kryerjen e testeve, i certifikuar është ai në ISHP. Ministrja theksoi gjithashtu se po vijon puna për të vendosur në funksion edhe dy laboratorë të tjerë, njërin në QSUT dhe tjetrin te 'Shefqet Ndroqi', që është kthyer në spital COVID.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë