Drejtësia

Kim takon 15 prokurorët e SPAK: Ndiqni penalisht ata që dëmtojnë shqiptarët dhe pasurojnë veten

Një ditë pasi u takua me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ambasadorja Yuri Kim ka zhvilluar një takim me 15 prokurorët e SPAK-ut. Ajo i ka shprehur atyre vlerësimin për punën në ekip dhe ndjekjet penale të shumta dhe të suksesshme.

Në një postim në Twitter, Kim sjell në vëmendje se që nga ngritja e SPAK-ut, mbi 250 persona janë dënuar dhe janë konfiskuar 80 milionë euro. Diplomatja thotë se kur SPAK e çon një çështje në gjykatë, ata fitojnë në 90 për qind të rasteve.

Ndërkohë, në një postim në Twitter, ambasada e SHBA-ve në Tiranë, shprehet se “është lajm i mirë për Shqipërinë që klasa e parë e hetuesve të BKH-së po iu bashkohet atyre në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”.

“Klasa e BKH me 28 hetues të përkushtuar dhe të trajnuar mirë do të sigurojë ndërtimin e çështjeve të forta nga SPAK. Së bashku, ata do u japin përparësi dhe fokus çështjeve më të rëndësishme dhe do modelojnë pavarësi dhe përgjegjshmëri”, - thuhet në njoftimin e ambasadës.

Prokurorët e SPAK-ut, “do të ndjekin penalisht dhe do bëjnë përgjegjës ata që dëmtojnë shqiptarët dhe pasurojnë vetveten përmes krimit të organizuar dhe korrupsionit. Askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë po merr fund”, - vijon njoftimi.

Më herët, ambasadorja amerikane Kim deklaroi një intervistë për Zërin e Amerikës se kush thotë se është habitur nga vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për ish-kryeministrin Berisha, me gjasë nuk është shumë i sinqertë.

Kim shpjegoi se kur dikush përcaktohet nga Sekretari i Shtetit për korrupsion domethënës, zakonisht është shumë e dukshme.

“Shkuarja deri në fund të këtyre proceseve kërkon një kohë të gjatë. Përsëris, dua të sqaroj që nuk është pjesë e ndonjë teorie të çmendur konspirative që vë në shënjestër politikën e brendshme këtu. Uashingtoni nuk merret me diçka të tillë”, - u shpreh Kim në lidhje me vendimin “non grata” të DASH-it për Berishën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë