Rend dhe Ligj

Gara për 60 hetuesit, Yuri Kim takon kreun e BKH dhe SPAK

Pas zgjedhjes së drejtores Aida Hajnaj, Byroka Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme, që janë pjesë të SPAK-ut janë vënë në lëvizje për përzgjedhjen e emrave të 60 hetuesve që do të jenë pjesë e BKH-së dhe krahu i djathtë i prokurorëve të posaçëm.

Këtij procesi po i kushtojnë vëmendje dhe rëndësi edhe ndërkombëtarët. Vetë Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim vizitoi këtë të martë zyrat e SPAK për t’u takuar me Aida Hajnan dhe kreun e Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja.

Vizita kryhet në një moment kur të dy këto institucioni pritet që të bëjnë publike rregulloren e përzgjedhjes së anëtarëve të BKH-së, ndërsa Ambasadorja Kim ka bërë disa herë thirrje për aplikime.

Deri më tani mësohet se interes kanë shfaqur një sërë figurash dhe drejtuesish të Policisë së Shtetit, por sërish problematika e numrit të ulët të kandidatëve mbetet e theksuar.

Pas procesit të përzgjedhjes, 60 hetuesit e BKH-së do të trajnohen nga FBI amerikane për një periudhë të shkurtër kohore, para se të marrin detyrat dhe të vihen në shërbim të prokurorëve të posaçëm. Këta të fundit e kanë ngritur si shqetësim mungesën e burimeve njerëzore dhe logjistike për të përballur volumin e madh të punës që kanë, ku përveç dosjeve të reja që janë regjistruar edhe nga operacioni “Forca e Ligjit” janë edhe dosjet e mbartura nga ish-Krimet e Rënda.

Përveç kësaj, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja në korrik gjatë një raportimi në komisionet parlamentare ngriti shqetësimin e mospagesës së plotë të prokurorëve të posaçëm dhe të mungesës së ambienteve të përshtatshme për të ushtruar detyrën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë