Sociale

Këtë të shtunë nis vaksinimi i mësuesve

Këtë të shtunë nis vaksinimi i mësuesve në vendin tonë. Lajmin e bëri të ditur fillimisht Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Faceebook”, ku shkruan se me ardhjen e 38.400 vaksinave nga formacioni COVAX, do të nisë edhe procesi për vaksinimin e mësuesve.

Shefja e Programit Kombëtar të Vaksinimit, Erinda Nelaj më herët në një intervistë për mediat, ka shpjeguar se vaksinimi i mësueseve do të jetë në bashkëpunim me drejtorinë arsimore. Sipas Nelaj, vaksinimi mund të kryhet në qendrën shëndetësore që mbulojnë shkollat, ose mund të fillohet edhe në shkolla, duke nisur fillimisht nga moshat më të mëdha.

Ndërkaq vaksinat AstraZeneca po shihen si problematike në shumë vende të botës. Bullgaria dhe Rumania kanë ndaluar vaksinimin me këtë vaksinë gjatë orëve të fundit për shkak se shumë persona kanë pësuar mpiksje gjaku pasi kanë marrë vaksinën.

Në varësi të këtyre fakteve Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në një intervistë televizive të enjten tha se sasia e dozave që do të vijnë në vendin tonë, janë një furnizim tjetër nga ai i vendeve me probleme dhe i sigurt.

Për sa u përket këtyre dyshimeve, Silva Bino e cila po merret në mënyrë direkte me procesin e vaksinimit në Shqipëri, ka deklaruar se vaksina që mbërrin në vendin tonë vjen nga Suedia dhe nuk ka lidhje me vendet e tjera. Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Bino ka shpjeguar se AstraZeneca do të aplikohet për të gjitha grupmoshat pra mbi 18 vjeç edhe tek ata mbi 65 vjeç për të cilat në fillim ishte e ndaluar. Gjithashtu, Bino ka sqaruar se në vendet ku vaksina është parë me probleme po studiohet për të parë nëse  problemet shëndetësore tek pacientët kanë lidhje vërtet me vaksinën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë