Njerez

Kështu u bana shitës, si qeni me vathin e verdhë n’vesh

Nga Çun Lajçi*- Kishin kalua pesë muej, tue shkrua n’ballkonin e gjatë e të ngushtë, tue i pa degët e pemëve tue çelë lule e tue gjethua! Kishte kalua pranvera e hi vera e unë po merresha me nji roman që idenë s’e kisha pse po e shkrueja, kur njimijë e pesqind libra me rrishin n’dhomën e vogël pa m’i ble kush!
Tre tituj librash do t’me baheshin n’banesën e lanun mbas dore e unë po kërkoja pare nga miqtë, për me mujtë me e tejkalua karantinën nga covidi19!
I ngujuem nga virusi e nga skamja n’anën tjetër, po merresha me hallet e kopilave, n'librat e mi, t'atyne që e rrjepen Prishtinën! Besa edhe Tiranën ata tjerët!
Çdo ditë i paloja her në nji qoshe, herë n’qoshin tjetër, n’banesën e vogël, e cila mbeti e shkretnueme, për mos me thanë e vdekun, që kur vdiq ime bijë.
Fotografohesha me to dhe i postoja n’rrejtet sociale, tue mos ditë se çka me ba!
U mësova me dalë nëpër Evropë, me çanta n’krah, që kur vajza ime lëngonte, për me i kërkua klubeve shqiptarët e mi. Me i lutë fort e fort, me i joshë me recitime e gati-gati me i shti n’gjynah, për me ma ble nji libër.
Tani po afrohej edhe korriku e ato pak euro që kisha, po soseshin. I kisha harxhua edhe shokët e s’kisha ma kujt me i thanë ndihmom ta kaloj edhe kët muej.
Gjithçka ka fund! Ka fund edhe lypja edhe ndihma edhe miqësia!
I provova ata që kishin, por m’dhanë ata që s’paten miliona!
Boll! Ndalu sa nuk t’asht skuq fytyra, se nuk t’zbardhet ma.
Nuk jetohet me zhelet e hueja, as nuk vdiset me qefinin e huej!
Preje konopin e lidhe n’qafën tande. Ta ka kajtë me shkrua e ta kanda me i hangër edhe fjalët e librave që t’rrinë si dru kaftorri t’palueme.
Dil, siç dole n’vitet e hershme, me krojshen e veve n’pazarin e Pejës. Merri librat e shiti se tuat janë. I ke shkrua për me t’i lexua të tjerët. Harroje marren e pleqninë, se s’vjen kush me të trokitë n’derë, pa t’i ardhë era kufomës! Ti s’je Luis Borges, s’je Kadare, s’je Selman Ruzhdi, s’je Shkrel! Je Çun me bjeshkët e Rugovës n’krah, që s’i len vetëm kurrë, as tash që ia falën Malit t’Zi. Je gishti n’lahutë që zanin ia fale atdheut e prap të shajnë. Eh, kujtuen se lufta bahet vetëm me pushkë!
Provoje shitjen, jo si këta me trojet e atdheut, po me librat tu, ani se nuk je i bukur si Malësorja e Migjenit, me ta ble qymyrin, tue shpresua edhe diçka ma shumë!
Ti librin e parë e titullove “Nesër fjalës i bahet vonë” por vonë po t’bahet edhe ty. Nisu rrugëve me vargjet që s’t’i lexojnë bastardët që e plehnuen ket vend, por ata me barkun untë, që janë si ti, t’dheut e t’atdheut!
Bleve shtatëdhetë e katër vjet, shit tash e jeto ma n’fund prej fjalës tande. Veç mos harro: Mos u shitë lirë e leht!
Galës e Leartit iu thashë, mos t’iu vjen randë nëse dikush m’shanë kur t’me sheh n’pazar me libra. Gjithkush s’ma ka hatrin, s’me don pse vetën e dua! Gjithkush s’ma duron shkrimin e pse m’lexojnë unë s’kam faj!
Po e mbathi me nallçe vetën, si nallbani kuajt, e nëse m’therin thumbat, e shaj vetën! Librat i shkrova për qejf e për zor po dal po i shes!
Vjedhë s’i kam, t’miat janë, i thashë grues e djalit, dhe dola.
Me Pejën u miqësova, që kur nana Sheke me muer për dore e m’çoi me shitë gjelin e babës. Që kur ma bleu samunin e nxeht me dy qebapa, ndaj vendosa me shkua të përmendorja e Haxhi Zekës. E kam shadërvanin aty afër e pi ujë nëse m’thahet fyti.
Nuk mora tjera libra veç 20 “Bastardët” i nxorra n’shitje, n’qytetin e artistëve n’za, ku unë për herë t’parë e mësova ç’asht ‘boza’ se n’Rugovë kishim veç tamel me borë!
Tue i vendosë librat të kambët e Haxhisë, për sherr nji punëtor krahu, që rrinte afër meje, e thirri shokun e vet: O Kristë, o Kristë!
Mua s’m’u nevoit ma shumë. Menjiherë m’u kujtua Kristë Berisha, regjisori im i parë që m’futi n’teatër me “Plakun e maleve”
Hej, i harrova librat, se edhe ashtu kush s’pyeste për to. U afrova të shadërvani e piva ujë. U ula para shtatorës e vetën e pashë n’Prishtinë, n’koridorin e vogël të Teatrit Krahinor Popullor. Unë brucoshi, artisti i ardhshëm.
O artist, a je ardhë me shitë a me fjetë, m'tha ai punëtori i krahut që thirri pak ma parë. Hajde se kjo zoja po don me ble nji libër.
Dita e parë ishte shumë e zorshme, por s'u dëshpërova.
Kur mbrrina n'Prishtinë, pazarin ia dorëzova Leartit.
Gjashtë copa i paske shitë m'tha!
Bereqatverës! Çka asht prej Zotit mirë asht!

*Çun Lajçi është aktor i njohur nga Kosova. Prej javësh po udhëton nëpër qytetet e Kosovës dhe Shqipërisë ku po shet librat e tij    


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë