Art dhe Kulture

Çun Lajçi: Kopili, kryekopili dhe bastardët

Me libra lshua n’tokë, me bastardët që nuk e meritojnë piedestalin...Çun Lajçi është bardi i kohëve  të sotit dhe ecejaket e tij qyteteve t’shqiptarisë me një trastë librash i japin pamjen e endjeve homeriane. Homeri i Kosovës e Shqipërisë, Homeri që këndon e vargëzon n’gegënisht e po në shqipe t’gegëve i nxjerr nga mjegulla në dritë të diellit bëmat e bastardëve.Iliada e tij, librat poetikë  “Pergamenë e djegun” dhe  “Kur fryjnë erënat”. Odiseja Çuniane, botimi më i fundit “Bastardët”.

Edhe këtë të mërkurë ka mbërritur në Tiranë, gjatë paradites dhe është ulur, siç ua kishte njoftuar dashamirëse më herët në rrjetet sociale në krah të Muzeut Historik  Kombëtar e bashkë me librat nuk ka harruar as sharkinë, si një rapsod i vërtet Malësie.

Ai s’kishte emën

Kur e pamë njenin tue i ra fyellit

Të dritat n'udhëkryq

Thamë

Ishte Sahiti që me gishta fliste

Por ai vdiq

Tani nji ditë do t'thoni

Njeni shiste rrugëve libra

Tue luejt n'sharki

S'kishte emën ishte artist”

Vargje të atypëratyshme që mbajnë si datë krijimi 9 shtatorin. Ai del,i reklamon dhe shet vetë romanet dhe librat e tij poetikë.

“E di se m’doni de zemra ju rreh kur më shihni mes librash, dashninë  pa hile e keni, ndaj ejani, m’kërkoni në Pergamenën e djegun, më kërkoni në Erënat e dalldisuna, do të m’gjeni të mbshtjellun n’bastardët e mi…”, iu drejtohet artisti lexuesve të Shqipërisë, të cilët mezi e prisnin mbërritjen e tij të dytë.

Vera ka qenë stina e shëtitjeve qytet më qytete, ku shesheve e shtatoreve simbol ka hedhur përdhe librat e tij.Shumë kanë ndjerë keqardhje e më të shumtë ata që janë revoltuar me instancat qeverisëse, që nuk kujdesen t’ia promovojnë dhe shpërndajnë në librari botimet, shkrimtarit.

E megjithatë Çun Lajçi, aktor i më shumë se 200 roleve  në teatër e kinema, i kthyer poet “në pleqni”, siç parapëlqen ta cilësojë veten ai, thotë se mendimi për të shëtitur me librat i ka ardhur gjatë periudhës së karantinës. 

“Kam mendua’ me e kthy’ veten krejt mbrapa, n’ato pazaret e mia, kur unë para se me e u bo artist, n’ Qarshinë  e Pejës kam qenë një djalë që ka shit vezë, që ka shit gjalpë, që ka shit djathë...”, zbulon aktori.Edhe “Bastardët”, që siç e cilëson  vetë autori është një roman surrealist, zënë fill në tregimet e hershme të jetës së tij.

“I kam  përthurur dhe ndërthurur me tregimet e mia bukur  t ‘dhimbshme, të viteve ‘63-‘68, kur isha nxënës i normales së Prizrenit dhe jam detyrue t’i shkeli po ato rrugë, ku më kanë ndodh tregimet e ia e pastaj t’i fus me ata kopilat e stërkopilat e kohës sime.  Të marr Çunin e kohës së Çunit dhe ti ndërthuri me çunat që e udhëheqin politikën tonë, që të jem shumë mâ i qartë me të gjithë raniet e ngritjet e qeverive tona tetor –qershor.

Dhe  e marr Çun Lajçin strumbullarin e t gjithës, kopili jam unë, stërkopili Albini (Kurti) dhe bastardët, të gjithë këta që nuk mendojnë fort për popullin prej nga furniohez me energjinë e  daljes në fushatë  zgjedhore e marrin votat  tona dhe,  kur vijnë në pozitë shkëputen prapë prej nesh...”, ka rrëfyer Lajçi, duke zbuluar edhe një rrëfenjë të hershme që ia kallxonte nâna, e lindura në Martinaj të Plavës e Gucisë.

“E fliste boshnjakishten dhe kur shkonim në Pejë me bo tregtinë tonë, me shit vezë, gjela pula për me mujt me u ushqy’, dhe kur e ngucshin ,se ishte një malësore e bukur,  thoshte: Kta janë izrot”, që i bie bastardët.  Dhe e nis me kopilin dhe të gjithë kopilitë që i kam pas e i ka një njeri.  E  shaj veten dhe e zhvesh nga të gjitha dhe them: “Urdhnoni, së pari po e shaj vetveten e them duroni”. Kur pranon të jesh udhëheqës i një populli atëherë duhesh me i durua edhe të metat që t’i thotë ky popull”.

Kacafytje me personazhet e tij e quan Çun Lajçi, që janë të përditshëm, jetësorë, të tashit, jo të imagjinuar . “Por në letrat e mia artistike i kam kapërthurur mirë me  tregime e mia dhe jam munduar me urtësinë e një plaku, një burri të moçëm,  me dhënë mendime të vogla,  por që çojnë kah mençuria e njerëzve që kanë aftësinë me e lexu’ tjetrin. ”

Libri, të cilin e shet me trastë qytet më qytet, është ndër më të shiturit e tij, që i numëron 10 në vargje e katër romane. Ka mbërritur deri në Australi dhe është shpërndarë kudo në Europë, zbulon autori, që ka zgjedhur ta shesë me çmim dyfish në rrugë sesa ai në kioska e librari.“Nuk them se jam i mençëm,  por jam njeni nga atyne artistëve që kohëve të fundit i asht’ dhanë shkrimit. Jam i guximshmi që ia thom mikut të keqen q’e ka në vete”, thotë ai.

Lajçi është aktori që del nga skena, zhvishet nga rolet dhe futet në një roman surrealist, me të gjitha të metat e një shoqërie “që për hesapin tim asht’ e mykur dhe nuk dëgjon kënd tjetër pos vetveten.  Si  t’i marrin votat fillojnë me komunikus me mefistofelat e vet.  Kështu  i kam personazhet e mi politikë, që na  i pari dhe i fundit dhe s’kam përtu’ që ato që i kam pa si njolla të zeza që e dëmtojnë, që e denigrojnë këtë shoqni dhe  e devaluojnë  këtë republikë të shpallur e nuk merren me çështje madhore  për të cilën kanë marrë të quhen vipa, por merren me ruajtjen e pozicioneve të tyre me pushtet.”

https://www.youtube.com/watch?v=1bf_tN0X2dA&feature=share&fbclid=IwAR1AdTwCdcHwqSYy5L_fU4cu0hg4nWBSwelB90uIp1YFyqjWVIqvuxMTWlc

E nis  me  Ramush Haradinaj për të kaluar tek ngjarjet e tij të dhimbshme e për t’iu rikthyer sërish aktualitetit politik, të cilin sëmbon përmes këtij romani.“Bisedoj me njanin me tjetrin e tjetrin... E shof nji kastë politike me e bo  një gjysh të mirë, një lloj godfather,  që nuk është më Marlon Brando,  por një plak me një krroçe.  Kemi Mush Deniron, Fat Paçinon... E para se të hyjnë në skenë për shfaqje, pra në parlament, thonë: “hajt t’i ngijmë brinjt’ me mish cjapi dhe e përfundojnë me “Pushka e Hotit, ndihma e Zotit”. Këta  fillojnë me i zbërthy’ çështjet madhore të këtij shteti me mish cjapi  dhe venë  t’kuqe".

Nga moskënaqësia e artistit, Çun Lajçi doli e mori barrën e protestës në heshtje të 70 përqind të qytetarëve.Vendosi t’i afronte njerëzit rreth vetes duke dalë në shesh.  Shëtiti  Prizren, Pejë, Prishtinë e Rahovec, Shkodër e Tiranë. Bisedoi me shtatoren e Haxhi Zekës, duke i lexuar pjesë nga libri i tij

“E kam njoftua Haxhi Zekën me të gjitha ato që i kam të shkrume ktu, brenga e mia. Zgjodha t’i çoj librat e mi te kambët e tyne një nanë Loke, kur ia hodha bastardët poshtë kambëve të Adem Jasharit, ajo m’tha: “Po pse bac i gju në kambë?” i  thashë janë bastardët e kombi, t nuk janë në lartësinë e Ademit që luftoi për një Kosovë ma të mirë”.

Nuk i ka kursyer as politikanët shqiptar. Për Edi Ramën, thotë se e do si artist dhe është kundër tij si kryeministër. “E kam sha, e kam  mallkua për shkak të teatrit, kurrë me  ta skam fol, nuk di a me njef a jo, e kam qujt të çmendun  se hala e njof si  artist të çmendun, më kuptimin e mirë.  Inatet  e tekat tona nuk na çojnë askund.  i  shkreti Lul ka inat ndaj tijna edhe ai ndaj ktijna. Nëse  e dun ktë tTranë të shkretën, këtë Shqipni  ta duan pavarësisht ideologjizmave...”

Në romanin “Bastardët”, Edi Ramën dhe Hashim Thaçin i etiketon si “zgatavella”, ndërsa një kopje të tij  e porositi kryebashkiakun Veliaj t’ia dorëzonte kryeministrit.Kryebashkiaku i Tiranës, ndërsa e pa në shesh më 4 shtator, e ftoi në zyrën e tij ku i dorëzoi kullën e sahatit dhe siç do të zbulonte vetë artisti e kish bërë këtë gjest, sepse e pat të rëndë ta shihte atje jashtë nën diell tek shiste libra.

“I thashë Erionit i ke lënë artistat  në rrugë, ke shkatërru një teatër, bëj çmos me ba të riun. Asht’  njolla ma  e keqë për të mos pas kryeqytetit një teatër, është e paimagjinueshme të mos e kemi.  i thashë mos hy në gjynah me artistat! Nesër artist mund të bahet djali a çika jote dhe ka me të nem, ashtu si kanë me të nem shpirtrat e artistëve që kanë dhanë jetën në atë skenë.”

Kujton se kur i pat shkruar kryeministrit Rama një letër pas shembjes së teatrit, duke e quajtur të çmendur e ku  i kërkonte të çmendej krye fund deri në atë masë sa të ndëronte një teatër aq luksoz sa të çmendte të gjithë atë që e kritikuan, ai i shkroi se shiritin do ta prisnin ata të dy, “Të çmendurit”. “I thashë Erionit ngutu se jam 74 vjeç, mund të vdes e nuk  kam kohë ta pres shiritin me atë zgatavellin”, do të rrëfente ai.

Bastardëve kopil

Unë jam za sharovi e hingëllimë ati

M'le nesër t'ha bukë librash

Rrugëve tua

T'pi ujë n'sy Dajti

T'shitem e t'shitohem n'përgamenë

Ky lloj promovimi “rrugëve” është një lloj rebelimi, si ai  viteve ’70, kur luante Hamletin  gjysmë i zhveshur në bodrume. “Tani bëj monologë adhoc, duke e kthye rrugën si skenë, duke iu  kthy’ zanafillës së teatrit, kur artistët luanin rrugëve.

Tash jemi ba të gjithë artiste dhe nuk kemi më shfaqje asnjë”, mendon Lajçi, ndërsa zhargoni i rrugës është futur brenda  teatrit. Kujton shprehjen e një artisti skenik që thotë se kur nis të dëgjosh zërin tënd në skenë, atëherë e ke humbur vlerën.

“Asht djersa ime, vepra ime, kshu dalin me shit molla,  dardha, gjithkush e qit mallin e vet në shitje.  Unë  e kam qit në shitje dhe du’ me e çu kulturën time kudo. Rri në të nxehtë rrugëve me orë të tëra.  Thotë se nuk është e lehtë, por dëshiron t’ju përcjellë një mesazh të rinjve, artistëve e shkrimtarëve të mos kenë komplekse të rrinë pranë veprës së tyre, në rrugë.

“Për  aq kohë sa s’kemi komplekse kur i kemi shkruar pse të kemi turp me nejt’  pranë librit . Azem Shkreli thoshte se libri është jetimi më i madh në botë,  se kur del nga botuesi rri rrugëve e duke e kërkuar blerësin.”

Është i indinjuar me ministritë e Kulturës dhe atë të Arsimit, të cilët e kanë me detyrim të blejnë 100 ekzemplarë të çdo libri të ri që del në treg e më pas t’i shpërndajnë në bibliotekat e qytetit dhe të shkollave. Thotë se edhe kur u shpall fitues i çmimit Ali Podrimja, në poezi, ministri i atëhershëm  kulturës në Kosovë, nuk bleu as edhe një kopje të vëllimit poetik, edhe pse ishte i detyruar të blinte njëqind.

Thotë se rron me një pension prej 150 eurosh dhe është banor i Zonës 9, në Tiranë. Të ardhurat janë modeste, ndërsa të gjithë librat e tij i shtyp me një tirazh prej njëmijë kopjesh. Kështu ka zgjedhur t’i çojë librat tek lexuesi, duke i shitur edhe pak më shtrenjtë, pasi nuk e lodh lexuesin të shkojë tek libri, në këto kohë kur miku prej letre po shkon drejt harresës së pakthyeshme.

Atyre që e shohin ngarkuar me trastë librash e që indinjohen me shtetin, Lajçi u thotë e është mësuar të shkojë nga Rugova  me kalin të ngarkuar me patate e të rrijë në pazar gjithë ditën për të shitur një kaçile vezë apo dy gjela. “Është fryti yt, nuk e ke vjedh”.

E pse po shkruen libra pra?

Po shkruej se po shkruen gjithkush. Po knoj se po knon gjithkush. Gjithkush asht ba i mençëm e po sundon. E pse mos me i sundua unë shkarravinat e mia.

 “Burrë i mirë është burri i vdekun e lufta me bastardë s’përfundon kurrë”, e mbyll ai romanin, ndërsa Tiranës ia ka çelur dyert, sheshet ia ka shtruar me vargje pergamenash të djeguna, kur frynë erënat, rrugët ia ka pastruar nga bastardët .../S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë