Politike

Këshilli Politik me pushime, çfarë po llogarisin “off record” dy partitë e mëdha

Më 30 qershor të vitit të kaluar opozita doli nga sistemi kur vendosi të mos futet në zgjedhje.

Plot një vit më pas, në të njëjtën ditë, Oerd Bylykbashi, në emër të PD-së, firmosi dokumentin e ndryshuar të Kodit Zgjedhor, duke rifutur opozitën në sistem.

Gjithçka mes palëve, përpos asaj që është shkruar në atë që cilësohet si marrëveshja e 5 qershorit, ka qenë edhe një marrëveshje fjale;

Që PS-ja ishte angazhuar që ta kalonte me vrik draftin në Kuvend, ishin dakordësuar paraprakisht edhe me Ilir Metën që ta dekretonte pa humbur kohë, të botohej më pas në Fletoren Zyrtare dhe në ditën e fundit të muajit Korrik, Kuvendi të miratonte madje edhe KQZ-në e re.

Por zhvillimet politike nuk shkuan vaj. Më 23 Korrik, Kuvendi kaloi marrëveshjen dhe vetëm 7 ditë pas, legjislativi ia dërgoi Presidentit për dekretim. Meta e dekretoi menjëherë, por Kodi i ndryshuar Zgjedhor vonoi edhe disa ditë të botohej në Fletoren Zyrtare.

Ligji i ri zgjedhor u botua të martën (4 gusht) dhe hyn në fuqi 15 ditë më pas. Që do të thotë se veprimet e para të Kodit të dakordësuar do të fillojnë në datën 19 Gusht.

Më saktë, diskutimet jo zyrtare për kandidatët anëtarë të KQZ-së.  

Sepse në bazë të Kodit të ri Zgjedhor, tre organet drejtuese të KQZ-së: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve; Komisioni Rregullator dhe  Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve do të duhet të zgjidhen nga Kuvendi që rifillon punë vetëm javën e parë të Shtatorit.

E gjithë kjo periudhë (të paktën deri në datën 20 gusht) mësohet se do të jetë “pushim” edhe për anëtarët e Këshillit Politik. Burime nga dy partitë kryesore ne vend thanë për gazetën “Si” se aktualisht palët nuk po punojnë për fazën e dytë dhe atë më të rëndësishme që lidhet me implementimin në Kod të ndryshimeve kushtetuese, sa kohë që ende nuk është futur në fuqi varianti i parë i ndryshuar i Kodit Zgjedhor.

Edhe ndryshimet kushtetuese që Meta do t’i kalojë në heshtje pasi nuk ka fuqi juridike që t’i kthejë mbrapsht  pritet që të hyjnë në fuqi rreth datës 20 Gusht, nëse ato kanë shkuar në tryezën e Presidentit që në fillim të muajit. Që do të thotë se palët të paktën “de jure” nuk mund të bëjnë dot asgjë deri nga java e fundit e  Gushtit

Ndërkohë faza e parë, ajo e zbatimit të marrëveshjes së 5 Qershorit shtyn edhe për një muaj procesin e tenderimit për biometrikun. Sepse sa të ngrihet KQZ-ja e re në shtator dhe të zërë vend secili prej anëtarëve, procesi i aplikimit të teknologjisë nga ana e KQZ-së,  (nisur nga procedurat që do të ndiqen do të tejkalojë muajin tetor).

Shumë pak muaj nëse palët sipas një marrëveshje ende të pashkruar kanë rënë dakord që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen në muajin Prill dhe jo Maj.

Partia Demokratike nuk ka dhënë ende një përgjigje se çfarë do të bëjë zyrtarisht me Këshillin Politik, por burimet e Gazeta “Si” saktësojnë se puna do të vijojë, por jo shpejt.

Sa kohë që formalisht dhe juridikisht faza e parë e zbatimit të Kodit të dakordësuar tirret deri më 20 gusht.

Gushti po përflitet nga korridoret e selive politike si muaji i qetë para stuhisë së madhe politike në muajin Shtator, ku do të fillojë konkretisht ngritja e organeve të reja të KQZ-së, procesi për aplikimin e teknologjisë, dhe “patatja e nxehtë” ndryshimet kushtetuese.

Deri atëherë, politika duket se është pushim.

Më saktë Këshilli Politik. Sepse në PD, Gushti do të jetë muaji i seleksionimit të kandidatëve për deputet.

Për të kaluar tek muaji Shtator, kur Basha paralajmëroi fillimin e fushatës. Sa duket jo vetëm për PD-në, por edhe për ecurinë që do të ndjekë faza e dytë dhe më delikatja; ajo e implementimit të ndryshimeve kushtetuese që do të sjellë një ridimensionim total të Kodit Zgjedhor.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë