Rend dhe Ligj

Këshilli i Lartë i Prokurorisë mund të shantazhohet lehtë

Karriera e një tjetër anëtari të Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të jetë në rrezik në shkallën e dytë të Vettingut. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, të premten, i rekomandoi Komisioneri Publik ankimimin për prokurorin Besnik Canin, për të kundërshtuar konfirmimin e tij në detyrë. Ky rekomandim është dorëzuar nga ndërkombëtarët në të njëjtën ditë kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin e zbardhur të shpallur gjatë muajit dhjetor.
Vendim i hapi Besnik Canit rrugën për në qeverinë e prokurorisë, pas një gare që ai pati me një kandidat tjetër nga rrethet, Vate Staga, ku dhe ky i fundit humbi.

Por qeveria e re e prokurorisë ka edhe tre anëtarë të tjerë që gjenden ende në pikëpyetje nga Vettingu. Që të katër ata vijnë nga votimi i Asambles së Përgjithshme të Prokurorisë. Kjo situatë do të thotë se nga gjashtë anëtarë që janë ulur si prokurorë në karriget e Këshillit të Lartë të Prokurorisë vetëm dy anëtarë janë të pa cenueshëm nga Vettingu, Bujar Sheshi dhe Kostaq Beluri. Por edhe pse nuk u apelua konfirmimi në detyrë, sidoqoftë ata mbeten në një fare mënyre peng por jo të vettingut dhe jo nën ethet e vettingut.

Për Kosta Belurin shkalla e parë e Vettingut vërtet vendosi konfirmimin në detyrë, por i la një kleçkë që ishte përcjellja e dosjes së tij për hetim disiplinor , gjë që duhet bërë nga vetë KLP. Anëtari tjetër është Bujar Sheshi, ish prokuror i Apelit për Krimet e Rënda konfirmuar në detyrë dhe i pa apeluar. Por, për të së fundmi është publikuar një dokument i deklasifikuar ku ai rezulton ish punonjës i Sigurimit të Shtetit nën pseudonimin “Venusi”.
Tre anëtarët e tjerë të KLP të apeluar në shkallën e dytë të vettingut janë Arben Dollapaj ku komisioneri publik kundërshtoi vendimin e konfirmimin në detyrë me argumentin se nuk ishte kryer një hetim i plotë e i thelluar.
Edhe anëtarja tjetër Antoneta Sevdari gjendet në rrezik, pasi hetimi për të nuk u deklarua i thelluar, sikurse edhe për prokurorin tjetër Gentian Osmani tashmë anëtar në KLP.

Katër anëtarët e prokurorisë të apeluar sjellin jo vetëm anëtarë në pikëpyetje , por një KLP të varur në vendimmarrje pasi në kushtet kur ata nuk e dinë nëse do kalojnë apo jo, secili prej tyre është i shantazhueshëm . I shantazhueshëm për votën qe do të japë për postin e prokurorit të përgjithshëm por edhe kandidaturat e Spak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë