Treg

KESH ka mbledhur 27mln euro për 4 muaj nga situata e mirë hidrike në vend

Gjatë 4 muajve të parë të vitit 2021, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, KESH, ka fituar 27 milionë euro nga shitja e energjisë në treg të lirë. KESH në një periudhe shitjeje nga 2 deri në 7 ditë ka tregtuar një sasi energjie prej 662 Gigavat.

Në të njëjtën kohë KESH ka bashkëpunuar dhe me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE,  për furnizimin e konsumatorëve fundorë.

Vitin e shkuar, një vit i vështirë për hidroenergjinë, OSHEE shpenzoi 120 milionë euro për blerjen e energjisë që të përmbushte nevojat e konsumatorëve. Gjatë muajve të fundit të vitit 2020 dhe filimit të vitit 2021 OSHEE nuk ka patur nevojë të hapë procedura për blerjen e energjisë, pasi situata hidrike në vend është përmirësuar.

“Viti 2020 konsiderohet si një vit jo i mirë hidrologjik edhe për faktin se pavarësisht rritjes së kapaciteteve prodhuese përgjatë Vitit 2020, prodhimi total i energjisë elektrike për këtë vit ka rezultuar në sasinë 5.313 Gwh, ose rreth 569 Gwh më pak se prodhimi mesatar i energjisë elektrike në periudhën 2009 – 2020”,- tregon Enti Rregullator i Energjisë, ERE.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë