Një email i rremë nga adresa anonime është shpërndarë në emër të policisë dhe konkretisht të drejtorit të Departamentit për Policinë Kriminale, Neritan Nallbati.
Në një njoftim zyrtar të Policisë thuhet se këto emaile nuk janë të vërteta dhe po përdoren për të përhapur panik nga persona me synime keqbërëse.
Përmbajtjet e emaileve janë të ndryshme dhe i kërkojnë qytetarëve që të përgjigjen në mënyrë të menjëhershme.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike është vënë në dijeni për një fushatë mashtrimi nëpërmjet sistemeve kompjuterike, e cila synon persona fizikë dhe juridikë, pa dallime të caktuara, me qëllim marrjen e shumave të ndryshme monetare.


Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike njofton të gjithë qytetarët, se ka nisur puna policore e menjëhershme, për parandalimin e pasojave, për hetimin e ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Për t’i shkuar në ndihmë çdo shtetasi që mund të preket nga kjo fushatë mashtrimi, bashkëlidhur këtij njoftimi do të gjeni formatin në të cilin dërgohet mesazhi i postës elektronike, si dhe dokumentin e rremë që i bashkëngjitet këtij mesazhi”.
Më tej, Policia e Shtetit fton qytetarët që janë prekur nga këto mesazhe të cilat iu kanë shkuar në emër të titullarëve të Policisë së Shtetit, të denoncojnë menjëherë në adresën e postës elektronike [email protected], të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, e cila është duke kryer hetime intensive dhe ditët në vijim do të japë më shumë informacion rreth kësaj fushate mashtrimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




