Vetëm pak minuta pas publikimit të lajmit se SPAK do të kërkojë autorizimin e Kuvendit për arrestimin e tij, Sali Berisha tha përmes një dalje për mediat se do të respektojë çdo vendim të parlamentit.
“Çfarëdo vendimi pas autorizimit të parlamentit, do ta respektoj pa asnjë diskutim.
Qëndrimi im, i përsëritur këtu, ua kam thënë sa herë keni pyetur, ka të bëjë me kushtetutshmërinë e vendit.
Unë nuk mund të bëhesha kurrë njeriu që zbatoi një vendim antikushtetues. Isha në vështirësi në këtë rast se kishte të bënte me mua, por ai ishte një akt i shkuarjes së Kushtetutës në zyrat e prokurorëve ose gjykatësve.
Nuk mund të ndodhte dhe nuk ndodh kurrë përmes Sali Berishës.
Tani parlamenti të vendosë ç’të dojë, sepse unë kam firmosur në vitin 2012, abrogimin e nenit 70 të Kushtetutës, pikës 3 që i jep atributet deputetit.
Ndaj dhe kjo është një gjë që po e vendosi parlamenti… unë vetë po e përgatisja për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Se në rast se Gjykata Kushtetuese vendos, unë do e zbatoj sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i barabartë me prerogativën kushtetuese.
Një vendim i Gjykatës Kushtetuese për mua do ishte 100 përqind i zbatueshëm për faktin se në doktrinën e të drejtës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i barabartë me prerogativën dhe ajo bëhej shteg për t’u zbatuar ai amendament që unë kam çuar në vitin 2012…”, tha ai
“A është i drejtë apo i padrejtë, ai është tjetër qëndrim, por asnjë lloj shmangie nga organet e drejtësisë nuk mund të ketë… Tani e zgjidh parlamenti. Sa herë kanë ardhur për të sjellë ato fletushkat, u kam thënë dërgojini në parlament. Kjo ka qenë përgjigja ime. Tani vendos parlamenti, të jetë fare i lirë parlamenti…”, vijoi Berisha
Ai nënvizoi sërish se do të zbatojë vendimin edhe pse në këndvështrimin e tij është i paligjshëm.
“Në këtë kontekst, nëse parlamenti pranon këtë vendim të paligjshëm të bazuar edhe ky mbi një vendim antikushtetues të paligjshëm është përgjegjësia e tij. Unë do të përputhem me veprimet e gjyqësorit.
Përsa i përket opozitës të garantoj se asgjë nuk e ndalon dot betejën e saj pa kthim gjer në fitore. Ajo do të zhvillohet në çdo skaj dhe shqiptarët e shohin këtë si një përpjekje tjetër për të dëmtuar opozitën dhe për ta ç’aktivizuar atë. Por e kundërta do të ndodhë. Ky është një frymëzim për opozitën. Ky akt që ndërmerret kundër meje, është një frymëzim dhe kushtrim i ri për opozitën. Në këtë kontekst ndihem më i motivuar se kurrë…”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.