Drejtësia

Kërcënoi me burg anëtarët e KPK-së, KPA lë në fuqi vendimin për kryeprokurorin e Sarandës

Edison Ademi, ish-drejtues i Prokurorisë së Sarandës, pasi u shkarkua në prill të 2019-ës nga KPK-ja, kërcënoi me burg anëtarët e saj, të cilët kishin konstatuar probleme me pasurinë dhe kontakte të tij me persona të përfshirë në trafik droge. KPA-ja (Kolegji i Posaçëm i Apelimit) ka lënë sot në fuqi vendimin e KPK-së për Edison Ademin.

Ish-drejtuesi I Prokurorisë së Sarandës nuk ka justifikuar pasurinë. Konkretisht, ai kishte deklaruar si pasuri të paluajtshme një apartament banimi me sipërfaqe 65 m2, të blerë në 2003-shin me kredi 30000 euro. Por, sipas KPK-së, apartamenti ishte 130 m2, ishte prenotuar në vitin 2003 dhe ishte blerë në vitin 2012, në vlerën e 45 mijë dollarëve. Në fund të seancës dëgjimore me KPK-në, Ademi kërcënoi trupin gjykues me fjalët: "Kjo nuk mbaron këtu, do përballemi sërish, po nuk të futa në burg, mbaje mend".

Vendimi i sotëm i KPA-së
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Ardian Hajdari relator, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.32/2019, datë 09.07.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Edison Ademi, kundër vendimit nr. 137, datë 09.04.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues vendosi

  1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 137, datë 09.04.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Edison Ademi.
  2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
    U shpall sot, në Tiranë, më datë 09.11.2020.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë