Shqipëria ka ende rrugë për të bërë për të arritur objektivat globale përsa i përket ushqyerjes.
Kjo është ajo çfarë vërehet sipas raportit të fundit të “Global Nutrition” (Report 2020).
Në mesin e problemeve theksohen mbipesha për fëmijët nën pesë vjeç, vonesa në rritje dhe zhvillim te fëmijët nën pesë vjeç, humbja në peshë po për këtë grupmoshë dhe pesha e ulët e lindjes së fëmijëve. Nga ana tjetër, Shqipëria ngjan se është ende larg përmbushjes së synimeve për ushqyerjen vetëm me gji të foshnjave, përsa i përket anemisë te gratë e moshës riprodhuese, diabetit dhe mbipeshës, si tek gratë ashtu edhe tek burrat.
Shqipëria ende përjeton probleme të shumta të kequshqyerjes, sidomos përsa i përket fëmijëve të moshës nën pesë vjeç.
Që nga viti 2017, prevalenca kombëtare e mbipeshës nën pesë vjeç është 16.4 përqind, gjë që ka rënë nga 23.2 përqind në vitin 2009.
Prevalenca kombëtare e fëmijëve nën moshën 5 vjeç, që kanë probleme të rritjes dhe zhvillimit është 11.3 përqind, duke shënuar shifrën më të lartë të kësaj problematike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Prevalenca e humbjeve në peshë të fëmijëve nën pesë vjeç është 1.6 përqind.
Ekspertët theksojnë se ushqyerja me gji kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në parandalimin e sëmundjeve të zakonshme të fëmijërisë dhe zvogëlimin e vdekshmërisë së fëmijëve dhe është treguar se ka një ndikim pozitiv në zhvillimin dhe rritjen e fëmijëve. Prandaj, Agjenda 2030 vendos objektivin në një minimum prej 50 përqind.
Në Shqipëri, 36.5 për qind e foshnjave nën 6 muaj ushqehen vetëm me gji.
Prevalenca e peshës së ulët të lindjes në Shqipëri për vitin 2015 prej 4.6 përqind (krahasuar me mesataren e nënrajonit prej 7.3 përqind) u ul pak, duke e krahasuar me vitin 2000, kur shënonte 4.9 përqind.
Popullsia e rritur e Shqipërisë gjithashtu përballet me probleme të kequshqyerjes. 25.3 përqind e grave në moshën riprodhuese kanë anemi dhe 7.7 përqind e burrave të rritur vuajnë nga diabeti, krahasuar me 7.1 përqind të grave.
Ndërkohë, 21.8 përqind e grave të rritura dhe 21.6 përqind e burrave të rritur konsiderohen obezë.
Prevalenca e mbipeshës dhe obezitetit është e theksuar në kryeqytet, ku diabeti (tipi dy) ka qenë gjithashtu në rritje, i cili është rezultat i faktorëve të ndryshëm që lidhen me stilin e jetës dhe dietën.
Sipas raportit, përparimi në zhvillimin e sistemeve të shëndetshme të shëndetit publik ka qenë i ngadaltë, duke penguar përpjekjet për të zvogëluar ushqyerjen jo në sasi të mjaftueshme, ndërsa urbanizimi i shpejtë dhe miratimi i dietave me karbohidrate të rafinuara, yndyrna të ngopura dhe sheqerna, të kombinuara me një mënyrë jetese sedentare përmenden zakonisht si kontribuesit kryesorë, që çojnë në rritje të sëmundjeve të mbipeshës dhe sëmundjeve kronike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.