Ngjarje

Keqtrajtimi i 13-vjeçares nga prindërit dhe gjyshi, si e zbuloi psikologia

E pyetëm vajzën ku ishte?
Na tha “më mashtruan dy persona, më abuzuan…”.
E ndërsa e mitura është larguar nga shtëpia për shkak të dhunës nga prindërit dhe gjyshi, të cilët i kanë qethur flokët, nuk mungon as deklarata e të rriturve që këmbëngulin jo vetëm që fillimisht e bija ju kishte thënë që e kishin abuzuar. Por, në një moment ata këmbëngulin se do ta bënin sërish atë veprim për të edukuar vajzën dhe për ta kontrolluar atë që të mos dilte më nga shtëpia dhe të mos arratisej për ditë të tërë siç kishte vepruar disa herë nga janari në maj. E mitura është e moshës 13 vjeç dhe në dosjen që Gazeta Si solli edhe dy ditë më parë përshkruhet se si ajo ishte larguar me një bashkëmoshatar, si ishte kërcënuar për të treguar dhe se si ishte detyruar nga familja të shkruante rrethana të rreme sikur ajo ishte përdhunuar. Me rëndësi për hetimin konsiderohet deklarata e psikologes që ka asistuar edhe në dy arratisjet e tjera dhe që ka pyetur të miturën. Psikologia tregon se ndërsa gjendeshin në polici pasi ishte paraqitur e mitura me prindërit me një letër të shkruar prej saj, ku tregohej që ishte abuzuar seksualisht, diçka po ndodhte pasi ka parë flokët e qethur të fëmijës. Ka qenë pyetja e psikologes për flokët që ka provokuar shpërthimin në të qara të fëmijës, e cila ka treguar se e kishin qethur e ëma dhe gjyshi dhe e kishin detyruar të shkruante rrethana të rreme në letër.

Psikologia vazhdon:
E pyeta edhe të ëmën nëse ishte e vërtete kjo gjë, por edhe ajo filloi të qante. Më pas, vajza vazhdoi dhe më tregoi historinë sesi i ishin futur në mesnatë në dhomë dhe si e kishin urdhëruar “çohu”. Vajza, shton psikologia, kujtonte se si gjyshi me këpucë në dorë e shkop e detyroi të shkruante letrën dhe shpesh i thoshte fshije këtë dhe shkruaje kështu.

Psikologia thotë:
Sqaroj se letra kishte shumë korrigjime, pjesë të shkarravitura dhe për këto fraza e mitura më tregoi se për to i thoshte gjyshi t’i fshinte. E pyeta vajzën se si ishte ndier për këtë gjë dhe m’u përgjigj: “Kisha frikë se ai do më qëllonte pasi tentonte të më godiste me shkop e këpucë dhe kur hezitoja të shkruaja ato që më kërkonte gjyshi”. Vajza sqaroi se abuzimi nuk kishte ndodhur, por për këtë gjë e kishte detyruar gjyshi ta shkruante.
Psikologia shpjegon rrëfimin e mëtejshëm të së miturës: “Vajza më tha se kishte kryer marrëdhënie përpara disa kohësh, por pa e specifikuar se kur. Më tha me një shokun e saj, por pa specifikuar emrin, por më tha se ishte i moshës së saj dhe se ishte ndarë me të”.
Psikologia tregon se vetëm për vetëm fëmija i kishte treguar se kishte bërë edhe diçka të keqe, por më pas kishte heshtur dhe ishte kthyer te flokët e gjata. Kur familja i kishte qethur flokët, fëmija kishte dalë në koshin e plehrave për t’i gjetur. “E kam vuajtur këtë gjë jashtë mase, - ishte qarë fëmija dhe më pas i kishte treguar foto të sajat me flokë të gjata në ‘Instagram’”.
Për kohën e qethjes së flokëve psikologia saktëson se ky veprim kishte ndodhur pas arratisjes së dytë, pra në fillim të muajit maj dhe për këtë shkak e mitura është arratisur herën e tretë. Me qetësi psikologia i ishte kthyer “frazës së fëmijës se cila ishte ajo gjë e keqe që ajo kishte bërë?”. Psikologia shton “vajza më tha se nuk i duron më dot ata të shtëpisë. E pyeta kush është e keqja? Më pa dhe ngriti bluzën dhe më tregoi damarët që kishte tentuar t’i priste pasi kishte tentuar të vetëvritej. Aty kishte mbi njëzet vija në ngjyrë të kuqe, që nuk ishin të freskëta. M’u lut që ky të ishte sekreti mes meje dhe saj, sepse nuk donte ta merrte vesh familja pasi ishte e ndërgjegjshme se diçka e tillë ishte gabim”.
Psikologia tregon se kur ajo dhe fëmija janë kthyer në dhomë, të ëmën e ka marrë bashkëshorti. Psikologia këmbëngul se volumi i telefonit ishte me zë të lartë dhe ajo dëgjoi zërin kur urdhëroi: “I thuaj vajzës të mos ndryshojë asgjë nga deklarata”. Gruaja ishte në ankth, u skuq, dhe sa herë i binte telefoni ishte në ankth dhe mezi mbushej me frymë.
E ëma që gjithashtu gjendet nën hetim për keqtrajtim të të miturës është marrë gjithashtu në pyetje.

E ëma:
“Ime bijë është larguar disa herë nga shtëpia. Së fundmi u kthye në datën 31 maj. Rreth orës një të natës, duke gdhirë data 1 qershor, vjen babai im. Mbante në dorë një fletore. Më herët ia qethëm flokët unë dhe babai im që vajza të mos ikte më. Këtë veprim e bëra sepse kisha frikë nga im atë. Dëshmoj se im atë e detyroi time bijë të shkruajë deklaratën e rreme”.

I ati
Babai, edhe ai nën hetim, dëshmon versionin e tij. Rrëfimi i tij është në mbrojtje të vjehrrit dhe të familjes. “Deklaroj se vjehrri im nuk është bërë asnjëherë pengesë për ne si prindër, dhe as për vajzën tonë. Nuk ka ndërhyrë asnjëherë më tepër në marrëdhënien tonë familjare. Vjehrri kishte dijeni edhe për largimet e mëparshme, erdhi e takoi dhe e këshilloi që të mos largohet më. Theksoj e këshilloi, nuk e kërcënoi. Të gjitha herët që vajza ikte pa adresë, ne denonconim në polici. Herën e fundit më telefonoi polici e më tha: “Eja, të kemi gjetur vajzën”. E mora dhe e dërgova në shtëpi, e pyeta ku kishte qenë. Ajo më tha “se e kishin mashtruar dy persona, emrat e të cilëve nuk i mbante mend, se e kishin dërguar në periferi dhe se kishin abuzuar me të në një shtëpi të pabanuar”.
Edhe në darkë e pyetëm unë e bashkëshortja dhe ajo na tha të dyve të njëjtën gjë, dhe aty ishte prezent edhe vjehrri, i cili e këshilloi: “Tregoi të gjitha të vërtetat”. I thashë vajzës që këto që na tha t’i shkruante në një letër. Letrën dhe stilolapsin ia dha vjehrri. Ime bijë filloi të shkruante. Më herët kur ishte larguar në fillim të majit, unë i kërkova makinën e rrojës vjehrrit që t’i qethja flokët sime bije. Në prezencë të tij, unë dhe ime shoqe i qethëm flokët dhe e bëmë tullace”.
Bëhet me dije se gjyshi nuk është marrë ende në pyetje, ndërkohë që hetimet vazhdojnë në sekret, ndaj jo vetëm për shkak të sekretit, por edhe për të mbrojtur të miturën, Gazeta Si nuk i jep emrat apo edhe inicialet e tre të dyshuarve si keqtrajtues të fëmijës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë