Ngjarje

Ekskluzive/ Prindërit dhe gjyshi i qethën kokën, gjykata largon 13-vjeçaren nga shtëpia

E mbani mend kallëzimin e dorëzuar në polici nga një 13-vjeçare, e cila u ankua kundër të atit, kundër së ëmës dhe kundër gjyshit? I kishin qethur kokën me makinë rroje dhe me gërshërë që ajo mos të dilte më nga shtëpia. Epo ky veprim sipas kodit të të miturve konsiderohet keqtrajtim i tyre dhe prindërit e vajzës së bashku me gjyshin i kanë keq hesapet me drejtësinë. Derisa të vendoset se kur do të merren të pandehur, me vendim sekret gjyqësor vajza është larguar nga shtëpia dhe është strehuar në një qendër në qytetin e Elbasanit.

Një burim i tha ekskluzivisht Gazetës Si se ky vendim u mor për shkak të dëshmive të tjera të prindërve, të cilët kur janë pyetur e ripyetur kanë thënë se këtë veprim ekstrem e kishin kryer për ta edukuar të bijën, dhe nëse ajo nuk vendosej nën autoritetin e tyre (siç janë shprehur prindërit në polici), ata ishin të gatshëm ta kryenin sërish. Gazeta Si nuk mund ta bëjë me dije strehëzën ku mbahet vajza për shkak se ruan interesin më të lartë, që është interesi i fëmijës, në këtë rast i kallëzueses që është e moshës 13 vjeç. Për këtë shkak nuk mund të jepen as të dhëna për emrin dhe inicialet e prindërve dhe gjyshit nën hetim për keqtrajtim, ashtu sikurse edhe për inicialet e vajzës, megjithëse Gazeta Si e disponon materialin e plotë, referuar dokumenteve të policisë që po ndjekin çështjen e rrallë hetimore. Për shkak se e mitura ishte larguar shpesh nga shtëpia dhe për këtë arsye në mesnatë, tre të rriturit e kanë lidhur dhe i kanë qethur flokët e gjatë, policia e ka ripyetur sërish 13-vjeçaren, se ku kishte qëndruar ditët që ishte larguar nga shtëpia. E njohur për arratisjet nga banesa edhe dy herë të mëparshme, e mitura ka shtuar detaje më me interes për hetimin.

E mitura tregon

“Dola me shoqen time. U ulëm në një lokal afër shtëpisë time. Pimë madje makiato. Aty kaluam kohën rreth një orë e gjysmë. Mora me telefonin e shoqes shokun tim J. ( emri i djalit të mitur nuk mund të thuhet për shkak të moshës ) dhe I thashë “hajde të pimë kafe, jemi tek lokali me emrin Mo….J”. Pas gjysmë orë ai erdhi dhe shoqja iku e na la vetëm. I kërkova shokut J që të shkonim në një play station që ndodhet në stacionin e fundit, por meqenëse kisha me vete vetëm 1000 mijë lekë dhe meqenëse J e njihte pronarin, na lejoi të luanim pa para. Në kohën që po luanim aty erdhën edhe katër djem të tjerë me të cilët luajtëm deri në orën 20.00. Duke qenë se ishte bërë shumë vonë, i thashë J . që të më gjente një vend për të fjetur. Ai më dërgoi në një ndërtesë të braktisur, që kishte vetëm muret dhe ishte karabina me tri kate. Në katin e parë gjendej një divan. Këtë vend e kisha parë edhe për herë të parë kur u largova nga shtëpia edhe në muajin janar. Qëndrova me J. rreth gjysmë ore dhe pastaj J. iku. Theksoj se J. nuk më ka ngacmuar seksualisht apo të kemi kryer marrëdhënie. Kur u zgjova nga gjumi, shkova në oborrin e J. e thirra dhe shkuam sërish në play station, por ai ishte i mbyllur. Rrugës pranë Operas takoj shoqen A., e cila më thotë se e kishin telefonuar prindërit e mi dhe se ajo i kishte treguar që isha larguar bashkë me një çun. Më pas mora vesh që edhe policia më kishte kërkuar”.

Në fakt dëshmia e të miturës është mjaft e rëndësishme për hetimin sikurse edhe e të miturve të tjerë, veçanërisht e të miturit J, i cili tregon se edhe në natën pasardhëse vajza ka vazhduar arratinë larg shtëpisë e për këtë ai e ka ndihmuar që ajo të strehohet tek e njëjta ndërtesë ku edhe i ka çuar për të ngrënë. Në ditën e tretë të largimit teksa shoku i kishte sjellë kumbulla dhe pjeshkë, të dy fëmijët janë larguar me vrap pasi kanë parë një makinë policie duke patrulluar. Më vonë e mitura është vetëdorëzuar në polici, e cila ka thirrur prindërit e saj. E ripyetur për dhunën e natës vijuese në familje, vajza jep detaje të reja.

Dëshmia e fëmijës

“Ne jetojmë në një shtëpi private. Bashkë me gjyshin. Po flija. Në orën një të natës, vjen gjyshi dhe i bie me shkelm divanit ku po flija. Unë zgjohem nga gjumi e frikësuar. Gjyshi mbante me vete dy fletë fletoreje me vija të gjera dhe një stilolaps. Më thotë të shkruaja një deklaratë, por çfarë unë shkrova në atë deklaratë nuk është asgjë e vërtetë. I shkrova sepse nëse nuk do ta bëja këtë gjë, gjyshi më tha se do të rrah dhe do të nxjerr jashtë shtëpisë. Në kohën që shkruaja, ai bërtiste që ta fshija dhe të shkruaja çfarë më thoshte ai. Kështu që vazhdova dhe shkrova fjalët që më tha gjyshi. Gjyshi më detyroi të shkruaja sikur unë kisha kryer marrëdhënie me të gjithë djemtë që njihja dhe që kisha takuar ato ditë. Por realiteti është çfarë deklarova më sipër, nuk kam kryer me asnjërin marrëdhënie. Atë që shkrova atë natë e shkrova nën dhunën e gjyshit. Gjatë kohës që shkruaja gjyshi mbante në dorë rripin e pantallonave dhe këpucën dhe kërkonte të shkruaja ashtu si donte ai. Këtë dhunë e pa edhe nëna ime. Edhe në fillim të muajit maj u largova nga shtëpia për shkak të frikës nga gjyshi dhe qëndrova e arratisur nga data 1 deri në datën 3 maj. Në datën katër gjyshi erdhi në mesnatë në dhomën time, ku ishin edhe prindërit, mori makinën e rrojës dhe gërshërët. Më urdhëroi të ulesha në divan. Nga frika u ula. Filloi të më heqë flokët e kokës me makinë rroje. Pastaj urdhëroi mamin e cila qëndronte në këmbë me gërshëre dhe e cila nga frika vazhdoi të mi rruajë flokët derisa u bëra komplet tullace”.  

Psikologia rrëfen

Për shkak të kompleksitetit të çështjes, policia më pas ka marrë deklaratën edhe të psikologes e cila ka asistuar në disa nga fazat e hetimit të kësaj çështjeje, por që ka folur me të miturën vetëm për vetëm menjëherë sapo vajza kishte dorëzuar në polici deklaratën ku pohonte se ishte larguar nga shtëpia dhe kishte kryer marrëdhënie pa dëshirën e saj. Për shkak të urgjencës së çështjes theksohet se atë ditë, pra ditën e parë të qershorit, psikologen e kishin marrë me patrullë policie për të këqyrur deklaratën e shkruar dhe për të folur me vajzën.

Psikologia deklaron për policinë: “Sapo më takuan me dy të rriturit që ishin prindërit e vajzës, pashë se njihesha me ta, sepse vajza e tyre ishte larguar nga shtëpia edhe dy herë të tjera. Më treguan para oficerit të policisë së e bija gjendej aty me një deklaratë të shkruar ku pohonte me kë kishte ikur dhe çfarë kishte bërë me ta. E mora deklaratën dhe e lexova. Ishte me shkrim dore në format A4. Sa e lexova letrën duke njohur zhvillimin psikologjik të të miturës pasi e kam asistuar edhe për dy largimet e tjera  kuptova se nuk përputhej me moshën e saj, aq më tepër që ajo në fund deklaronte diçka të tillë si: marr përgjegjësi për çfarë kam shkruar. Në prezencë të të gjithëve thashë “nuk e di si e vlerësoni ju, por këtu ka diçka që nuk shkon dhe dua të konsultohem me vajzën, pa praninë e nënës së saj”. Sapo ikën e pyeta çfarë ka ndodhur se ndryshe nga herët e tjera kur e kisha pyetur ajo shtonte që kishte kryer marrëdhënie me shokët e saj. Gjatë kësaj kohe më ra në sy që vajza i kishte flokët të qethura në dallim me herët e tjera (vajza i kishte flokët shumë të gjatë) , dhe e pyeta edhe për këtë fakt.  Kur e pyeta për flokët, vajza filloi të qante. Në këtë moment në dhomë hyri e ëma dhe kërkova që të qetësohej. Në sy të nënës ajo tha “mua m’i ka qethur flokët gjyshi me mamin”.

Vijon …

Gazeta Si do sjellë vijimin e dëshmive të prindërve dhe të vajzës. Ballafaqimi dhe çfarë dëshmon më tej psikologia….


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë