Ushqim

Keni zgjedhur gjelin e duhur? Nuk dini si ta bëni? Shefat shqiptarë të kuzhinës zbulojnë sekretet dhe disa receta

E çfarë është darka e fundvitit pa gjelin e detit? Sado që kohët ndryshojnë, njësoj siç ndryshojnë dhe mënyrat e përgatitjes, në fund të gjithë kemi një gjel deti të pjekur në mes të tavolinës natën e 31 dhjetorit. Por duket se jemi të ndarë në dy grupe: Ata që përdorin mënyrën tradicionale për ta gatuar gjelin e detit dhe ata që guxojnë dhe e gatuajnë në mënyra më moderne. Për të dyja grupet, Gazeta “Si” ka sjellë 3 mënyra të ndryshme se si mund ta gatuajmë gjelin e detit, disa truke nga fermerët se si të zgjidhni gjelin e duhur, sekretin për të bërë kulaçin dhe përsheshin perfekt si dhe një gatim shumë interesant dhe të shijshëm që mund ta bëni me mishin e mbetur.

Mastershef Fundim Gjepali ka treguar për Gazetën “Si” një recetë se si gatuhet gjeli i detit apo pula e mbushur me gështenja.

Mastershef Fundim Gjepali

Përgatitja:

I heqim kockat gjelit, i hedhim kripë dhe piper nga të gjitha anët.

Marrim gështenjat, u bëjmë një shenjë me thikë, pastaj i fusim në furrë të nxehtë për 8 minuta në një temperaturë 180°. I nxjerrim e u heqim lëvozhgat.

Në një enë përziejmë gështenjat e pastruara, mishin e grirë, vezën dhe koprën e grirë. I hedhim kripën dhe piperin që nevojitet.

Marrim gjelin e hapim mirë, marrim gështenjat dhe mishin e grirë tashmë të përziera i vëmë në mes të gjelit, e rrotullojmë mirë dhe e lidhim me spango. Në një tigan hedhim pak vaj ulliri dhe fillojmë të skuqim gjelin e mbushur.

Marrim qepën, selinon, karotën të prera në copa të vogla, thelbin e hudhrës, erëzat e mbetura dhe i hedhim të gjitha në tigan bashkë me gjelin. Kur gjeli të jetë skuqur mirë e spërkasim me verë. Pasi vera të ketë avulluar, mbulojmë gjelin me ujë ose lëng mishi nëse kemi. E fusim në furrë në një temperature 150° për rreth 30 minuta, gjithmonë duke e shikuar që mos të thahet. Kur shikojmë që po thahet i shtojmë pak ujë.

Kur gjeli të jetë pjekur i heqim spangon dhe e presim në feta me gjerësi rreth 2 cm. Lëngun e mbetur në tepsi e fusim në një tenxhere e vëmë në zjarr deri sa të fillojë të ziejë. E trashim duke përdorur miell ose niseshte të shkrirë në ujë. E kullojme me një kullesë dhe e përdorim si salcë sipër fetave të gjelit.

https://youtu.be/7QHsEDh1oAc
Mastershef Fundim Gjepali përgatit gjelin e mbushur me gështenja

Flavio Mato, bloger ushqimi dhe kuzhinier, tregon se në familjen e tij, përgatitja e gjelit të detit ka qenë gjithmonë ajo tradicionalja dhe diçka e thjeshtë, si gjithë shqiptarët dikur.

“Si një familje me tradita jugore, përgatitjen e gjelit apo përsheshit jemi munduar ta bëjmë gjithmonë në një mënyrë të thjeshtë”, tregon Flavio.  

Cila është mënyra më e thjeshtë për të gatuar gjelin?

Është e rëndësishme të përdorni një tenxhere shumë të madhe në mënyrë që të kete hapësirë të mjaftueshme si për mishin, si për lëngun. Gjeli kalohet në zierje të ngadaltë duke siguruar që mishi të zihej plotësisht në mënyrë që të mos ketë nevojë për shumë pjekje.

 Mishi duhet të kontrollohet dhe rrotullohet vazhdimisht derisa të bëhet e ndërkohë lëngu shterron gati sa 1\2 e ujit që hidhet në fillim.

Pasi mishi është zier, e vendosni në tavë dhe e lyhet me gjalpë gjithë gjelin duke e kriposur. Futet në furrë përsëri në tëmperaturë mesatare duke u siguruar që të piqet në të gjithë sipërfaqen.

“Lëkura është e preferuara e të gjithëve pasi bëhet kërçe dhe merr ngjyrë të artë. Gjalpi ndihmon që mishi të qëndrojë i butë por nuk duhet të teprohet me të pasi dhe vetë gjeli ka goxha yndyrë.” tha Flavio i cili, edhe pse i ri në moshë, dashuria për artin e të gatuarit i ka mësuar çdo gjë, duke filluar nga gatimet tradicionale deri tek ato modernet.

Kuzhinier dhe bloger Flavio Mato

Shef Brenton Spahiu tregoi për Gazetën “Si” si të gatuajmë gjelin e detit bashkë me përsheshin e kulaçit, i cili është po aq i rëndësishëm sa gjeli.

Përbërësit: 2 lugë gjelle nenexhik, ose mente e thatë, 1 qepë mesatare, lëng nga mishi i gjelit, ujë.

Përgatitja: Zieni për pak minuta gjelin e detit në një tenxhere të thellë me ujë dhe kripë. Më pas, kur e shikoni që është gati, futeni në një tavë për pjekje. Shtoni pak lëng nga tenxherja ku keni zierë gjelin, që të mos thahet. Një sekret për një pjekje sa më të mirë është edhe ai i mbështjelljes me letër alumini të gjelit. Kur e shihni se ka arritur butësinë e duhur, hiqeni letrën dhe lëreni të marrë faqe. Pjekja do të bëhet në temperaturën 200 gradë Çelsius. Kur gjeli të jetë thuajse gati, përgatisni përsheshin e kulaçit. Në një tenxhere të thellë kaurdisni qepën e grirë hollë, në gjalpë. Më pas, shtoni lëngun e gjelit, lëreni të ziejë për disa minuta, duke shtuar nenexhik ose mente. Hidhni lëngun te përsheshi, servireni në pjata, bashkë me gjelin e pjekur.

Përbërësit për kulaçin, për 4 persona: 750 gr miell, 1 kokërr vezë, 4 lugë kos, pak vaj, një majë luge sodë buke, një lugë kafe me kripë, ujë.

Përgatitja: Në një tas të madh hidhni miellin, përziejeni me kripën dhe sodën, më pas bashkoni kosin. Filloni të mblidhni brumin, duke shtuar dalëngadalë ujin të vakur, derisa të formohet një brumë pak i fortë. Punoni brumin derisa të forçohet. Lyejeni me miell dhe vendoseni mbi tepsi për ta pjekur. Shpojeni sipërfaqen lehtë me pirun. Lëreni 30 minuta të pushojë. Më pas vendoseni në furrë për ta pjekur në temperaturë maksimale, prej 200 gradë. Hiqeni nga furra kur ta shikoni se është gati.

Shef Brenton Spahiu

Përveç mishit të gjelit të pjekur, përsheshi është perfekt me rosto, sallatën ruse, salcën e kosit, sallatën me turshi apo atë me perime të pjekura.

Si të gatuani kulaçin?

Si çdo recetë, edhe përgatitja e përsheshit ka truket e veta të cilat nisin që tek pjekja e kulaçit.

Flavio dhe shef Brenton kanë treguar për Gazetën “Si” disa truke që çdo amvisë duhet të ketë parasysh nëse do të bëjë një kulaç perfekt.

Kulaçi është më kryesori dhe si i tillë duhet të tregohet kujdes tek pjekja e tij.

“Kulaçi nuk duhet të gatuhet më shumë seç duhet dhe duhet të lihet të ftohet para se ta bëni pjesë të përbërësve të tjerë.” tha shef Brendon.

NJë hap tjetër i rëndësishëm është dhe skuqja e kulaçit me gjalpë. Kulaçi mund të skuqet deri kur të marrë një ngjyrë të artë.  Gjalpi duhet të përdoret në masë. Pra jo shumë që të mos bëhet një masë e yndyrshme e jo pak pasi duhet shija e gjalpit.

Përsheshi

E njëjta gjë vlen dhe për lëngun e gjelit të detit.

Nëse hidhni pak lëng, përsheshi nuk do të zbutet mirë dhe kulaçi do të mbetet I fortë e nëse hidhni shumë, përsheshi del i lëngshëm dhe do të duket si qullë.

Një darkë e shijshme, përveç se përshesh perfekt, kërkon që dhe mbreti i tryezës të jetë po aq i shijshëm dhe këtë nuk e bën vetëm gatimi i tij por edhe gjeli i duhur.

Si të dalloni gjelin e duhur?

“Gazeta “Si” foli me disa fermerë të cilët treguan si mund ta dallojmë gjelin perfekt për festa.

Disa e lidhin me “farën e vendit”, të tjerët me traditën e të ushqyerit me ullinj, me rritjen në natyrë etj. Gjithsesi, pasi folëm me fermerët, kemi bërë një përmbledhje se si mund ta dalloni gjelin e duhur.

Gjela dhe pula deti të rritur nga fermerët shqiptarë

“Para se gjithash përpiquni të gjeni një gjel që është raçë vendi dhe jo nga zogj industrialë. E rëndësishme është të jetë rritur në natyrë”, tha Tajari, një fermer që ka disa vite që rrit dhe tregton gjela deti në Lushnje.

Për një shije më të mirë, gjeni një gjel mesatar, jo shumë të shëndetshëm por as edhe të dobët fare.

Më mirë një gjel apo pulë deti? Kjo varet nga ju. Shumë preferojnë pulën pasi ka mish të butë dhe të shijshëm por fermerët thanë për Gazetën “Si” se nuk është diçka shumë e rëndësishme. Mirë është që të gjeni një përson të besueshëm ku ta blini.

Mbasi janë të gjitha këto gati dhe darka e fundvitit kalon, të nesërmen na pret një tjetër sfidë. Mishi i tepruar!

Çfarë të bëni me mishin e tepruar?

Flavio ka një reçetë shumë origjinale dhe interesante për të shijuar dhe një herë tjetër mishin e gjelit të detit në një sallatë të freskët.

Sallata e përgatitur nga kuzhinieri Flavio

Përgatitja:

- Një shtresë në fund të tasit mbusheni me lakër të kuqe, ose radikio të prerë.

- Shtresën e dyte shtoni misër të ëmbël të konservuar.

- Shtoni mishin e gjelit të çopëtuar dhe një shtresë me makarona.

- Më pas salçën e gatshme për sallatë me erëza (mund ta përgatisni në shtëpi me kos/ salçë kosi/ majonezë dhe vaj ulliri, limon, kripë, majdanoz).

- Shtresën e radhës shtoni sallatë jeshile prerë imët.

- Copëtoni një domate dhe një kastraveç për shtresën e radhës dhe shtojini në tas.

- Në fund një shtresë tjetër makaronash dhe disa kokrra shege.

Trazojeni dhe... ç't'ju themi, del një mrekulli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë