Rend dhe Ligj

KED e re kërkon fonde dhe personel shtesë

Këshilli i ri i Emërimeve në Drejtësi zhvilloi këtë të mërkurë mbledhjen e parë dhe që në fillim ka renditur kërkesën e parë; punonjës dhe fonde shtesë për të përballuar fluksin e punës për këtë vit.

Pas konstituimit, KED ka vlerësuar se numri i personelit ekzistues, me të cilin punoi edhe KED e vitit të kaluar është i pamjaftueshëm.

“Duke vlerësuar angazhimin dhe ngarkesën e madhe të punës së përballuar gjatë vitit 2020, por edhe disa probleme që u shfaqën në këtë drejtim, Këshilli vlerësoi se ky personel është i pamjaftueshëm për të realizuar mbështetjen e plotë dhe efektive të veprimtarisë së KED për vitin 2021. Prandaj, nisur nga parashikimet kushtetuese dhe ligjore për realizimin plotësimit të vendeve vakantë në Gjykatën Kushtetuese për vitin 2021, u vlerësua nevoja për shtesë të menjëhershme të personelit mbështetës nga Gjykata e Lartë për Këshillin, krahas vijimit të plotësimit të mëtejshëm të nevojave me buxhet të veprimtarisë së Këshillit”, thuhet në deklaratën shoqëruese të mbledhjes së parë të KED2021.

Këshillit i është ngarkuar detyra që të plotësojë dy vakancat e mbetura dhe të zëvendësojë Vitore Tushën, që i ka përfunduar mandati si anëtare në Gjykatën Kushtetuese që prej marsit të 2017-ës. Dy vakancat dhe zëvendësimi i Tushës duhet të bëhet me kandidatë të propozuara nga Gjykata e Lartë.

Por, vetë Gjykata e Lartë është larg numrave të anëtarëve që i duhen për të realizuar këtë proces, pasi aktualisht ka vetëm 3 anëtarë nga 19 anëtarë që duhet të ketë në total dhe 14 që nevojiten për të plotësuar kuorumin e vlefshmërisë së mbledhjeve të gjyqtarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë