Kosova

Katër kërkesat e Vuçiç ndaj Kosovës që të vazhdojë dialogu në Bruksel

Pas ngjarjeve në veri Beogradi zyrtar nuk ka pranuar asnjë propozim të ndërkombëtarëve që do të sillte kompromisin. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka vënë kushtet e tij.

Janë mediat serbe ato që po shkruajnë se janë katër kërkesa, të cilat duhet të plotësohen më mënyrë që të vazhdojë dialogu në Bruksel. E sa për dialog, kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur i gatshëm.

Sipas së përditshmes serbe “Novosti”, të katër kërkesat vijnë nga marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe shtyhen përpara nga Vuçiçi.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është kërkesa e parë. E dyta kërkesë është që Qeveria e Kosovës të mos dërgojë në veri në asnjë formë as forcat e Policisë së Kosovës me armatim të rëndë pa lejen e KFOR-it dhe miratim të komunitetit serb në veri.

Kërkesa e tretë është që të formohen dy kompani serbe për shpërndarje të rrymës për serbët në veri. E para kompani të jetë "Elektrosever" dhe e dyta "EPS trgovina" që të funksionojnë në Kosovë simotra të "EMS" serbe.

Teksa kërkesa e fundit është që trupat gjykues për rastet në veri të jenë në raport etnik 2 me 1, në favor të serbëve, duke u motivuar nga dënimi i politikanit Ivan Todosijeviq, për të cilin kërkohet lirim.

Kjo po ndodh pas vendosjes së masës së reciprocitetit, duke u bazuar po në marrëveshjet e Brukselit për targat. Kjo derivon gjendjen që veturat me targa serbe kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare, duke paguar pesë euro për vlefshmërinë prej 60 ditësh. (Zëri)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë