Futboll

Katenaço ka vdekur! Seria A, 33 gola në javën e parë

Anibale Frosi, ish-lojtar i kombëtares italiane dhe fitues i medaljes së artë në Olimpiadën e Berlinit 1936, më pas trajner dhe analist televiziv, ka mbetur shumë i njohur për shprehjen e tij të famshme: “0-0 është rezultati perfekt”. Kjo ishte epoka e artë e futbollit të stilit katenaço në Itali dhe që më pas u përhap në të gjithë botën.

Por futbolli i sotëm nuk ka më vend për atë lloj stili. Nuk mbrohet më si më parë. Në javën e parë të këtij sezoni në Serinë A u shënuan plot 33 gola, me një mesatare prej 3.3 gola në çdo ndeshje. Vetëm në tre ndeshje u arrit që të shënohen 17 gola. Fiorentina Napoli 4-3, Roma – Xhenova 3-3 dhe në ndeshjen tjetër, Inter – Leçe shifrat shkuan në 4-0 për zikaltrit. Dhe për më tepër në asnjë ndeshje nuk pati rezultat 0-0. Nëse Frosi do ishte ende gjallë mbase nuk do ishte shumë i kënaqur me këto lloj shifrash.

Moment nga ndeshja Inter - Lecce - Gazeta Si, 27 gusht 2019

Ndryshimi i stilit të lojës

Stili katenaço ka vdekur, asnjë skuadër në Serinë A nuk preferon të luajë me 10 lojtarë që rreshtohen në fushën e tyre në mbrojtje të rezultatit. Pothuajse të gjithë lojtarët edhe mbrojtësit madje tentojë të shkojnë përpara në kërkim të golit. Në këtë shembull, rasti më i mirë është ai i Leçes se Liveranit, e cila edhe pse e sapo ngjitur në Serinë A, u përball me Interin hapur. E vërtetë që humbi 4-0, por la një përshtypje të mirë me lojën që tregoi. Ky është një ndryshim epokal i mentalitetit, i diktuar nga arsye praktike, në lidhje me rregullat e reja dhe futjen e teknologjisë.

Moment nga perdorimi i i VAR ne Serine A - Gazeta Si, 27 gusht 2019

Ndikimi i rregullave dhe VAR

Ndryshimet e rregullave të arbitrimit, në veçanti dënimet më të forta për ndërhyrjet dhe futja e Var-it kanë penguar mbrojtësit që të ndërhyjnë brutalisht, siç më herët mund të bënin dhe ndryshuan mënyrën e mbrojtjes. Rreziku për t’u sanksionuar me karton të kuq është shumë i lartë në rast të një ndërhyrje jo të rregullt. Lojtarët e dinë se janë “spiunuar” nga VAR dhe e kanë kuptuar që nuk ka më asnjë shans për t’ju shmangur ndëshkimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë