Futboll

Katar 2022, 5 kombëtare në garë për 2 biletat e fundit

Gazeta Si - Uellsi është skuadra e 30-të që është kualifikuar për në Katar 2022. Janë edhe dy vende bosh për të kompletuar 32-shen. Në garë janë Kosta Rika, Zelanda e Re, Emiratet Arabe, Australia dhe Peruja.

Bejl me shokë kanë marrë biletën e fundit për në Botëror sa u takon kombëtareve europiane. Festa pas fitores me Ukrainën ishte e madhe, sepse Uellsi kthehet në Kupën e Botës pas 64 vitesh.

Uellsi feston fitoren ndaj Ukrainës. Gazeta Si, 6 qershor 2022

Në Katar 2022, Uellsi do të bëjë pjesë në Grupin B. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe SHBA-të, Irani dhe Anglia. Ndeshjen historike me Anglinë Uellsi do ta luajë më 29 nëntor dhe mund të jetë vendimtare për fatet e grupit.

Do të jetë hera e parë që dy skuadrat britanike do të sfidojnë njëra-tjetrën në një Botëror.

Mbeten edhe dy skuadra ndërkohë për të plotësuar numrin 32 të Katar 2022. Njëra do të përcaktohet nga sfida mes Perusë dhe fituesit të ndeshjes mes Emirateve Arabe dhe Australisë. Kjo ndeshje luhet në Doha më 7 qershor, kurse finalja luhet më 13 qershor.

Dhe skuadra e fundit që shkon në Katar do të jetë ajo që do të fitojë ndeshjen Kosta Rika-Zelandë e Re. Këto dy skuadra do të përballen në një ndeshje shtesë në Doha, në Katar, më 14 qershor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë