Futboll

Kastrioti i komplikon Europën Kukësit, krutanët i japin një asist Partizanit

Gazeta Si - Kastrioti mbetet skuadra e momentit në Superiore, natyrisht bashkë me Tiranën kryesuese. Që të dyja këto skuadra kanë fituar në ndeshjet e javës së 29-të të kampionatit: Kastrioti 1-0 ndaj Kukësit dhe Tirana 0-3 ndaj Egnatias.

Krutanët ishin me fat ndaj Kukësit, që përveçse goditi dy herë shtyllën në pjesën e dytë, iu anulua edhe një gol nga VAR-i në fillim të ndeshjes për shkak të një faulli në nisje të aksionit. Bedri Greca realizoi golin e fitores për Kastriotin me një veprim të bukur teknik në zonë.

Pas kësaj humbjeje, Kastrioti është më i sigurt në objektivin e qëndrimit direkt në elitë, kurse për Kukësin janë komplikuar shumë llogaritë e Europës. Kuksianët mbajnë vendin e 3-të me 45 pikë, 2 më pak se Laçi dhe 4 më shumë se Partizani, që luan të dielën ndaj Skënderbeut dhe këtë diferencë mund ta shkurtojë në 1 pikë, duke e rritur shumë presionin te skuadra e italianit Longo.

Tirana feston fitoren ndaj Egnatias. Gazeta Si, 16 prill 2022

Tirana nuk e ka ulur ritmin as në Rrogozhinë, ku fitoi me lehtësi ndaj Egnatias, 0-3. Xhixha shënoi që në minutën e parë, më pas dyfishoi Hoxhallari me një goditje dënimi dhe Najdovski realizoi edhe golin e tretë për bardheblutë, tashmë 19 pikë para Laçit, që ndeshet nesër me Dinamon.

Java e 29-të e Abissnet Superiores do të mbyllet të dielën me sfidën e Durrësit mes Teutës vendëse dhe Vllaznisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë