Futboll

Kastrioti fiton “finalen” me Luftëtarin, Kukësi i falet Limajt në Laç

Kanë përfunduar dy nga katër ndeshjet e javës së 28-të të Superiores, ku Kukësi ka triumfuar në Laç 0-1 dhe Kastrioti ka mundur Luftëtarin rival 1-0. Ndeshja e Fushë-Krujës paraqiste më shumë interes për luftën që po bëhet për mbijetesë. Ka vendosur një penallti e kthyer në gol nga Marku në pjesën e parë dhe tashmë krutanët janë afruar me Tiranën dhe Luftëtarin, duke shtuar shanset e qëndrimit në elitën e futbollit shqiptar në javët e mbetura. Duhet theksuar se Luftëtarit i është anuluar një gol për pozicion jashtë loje në fundin e ndeshjes. Një rast i dyshimtë.

Në ndeshjen tjetër, Laçi, që vinte në një formë shumë të mirë, ka humbur në fushën e tij me Kukësin dhe ka komplikuar llogaritë e Europës, pasi mund të parakalohet nga Flamurtari ose Teuta. U duk një ndeshje që do të mbyllej pa gola, pasi dy skuadrat sikur u pajtuan me rezultatin 0-0, por një "predhë" e Vesel Limajt pak minuta para fundit të ndeshjes, i ka dhënë fitoren Kukësit. Trajneri Ernest Gjoka, i emëruar pak ditë më parë në stolin kuksian, ka debutuar me fitore.

Në javët e mbetura të kampionatit, gara për qëndrimin në Superiore do të jetë shumë e fortë, pasi janë tri skuadra të përfshira nga "ethet" e mbijetesës, Tirana, Luftëtari dhe Kastrioti. Më pak shanse kanë krutanët, por me ecurinë e javëve të fundit, Tirana dhe Luftëtari janë të kërcënuar seriozisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë