Futboll

KAS-i shtyn vendimin, Skënderbeu përfundimisht jashtë Europës

Është shndërruar në një telenovelë tashmë çështja e gjyqit të Skënderbeut në KAS (Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv) në Lozanë. Ajo që është e sigurt në këtë moment ka të bëjë me faktin se korçarët janë përfundimisht jashtë Kupave të Europës. Klubi i Skënderbeut ka bërë me dije komunikimin e fundit që ka pasur me KAS-in, sipas të cilit, vendimi do të merret më 12 korrik 2019, pra pasi të jenë luajtur ndeshjet e para të turit të parë eliminator të Ligës së Europës. Fillimisht u tha se vendimi do të shpallej më 21 qershor, por tani ka ardhur kjo shtyrje, që e lë Skënderbeun jashtë Europës.

“Të dashur tifozë dhe sportdashës të KF Skënderbeu, ju bëjmë me dije se palët në gjykim janë njoftuar sot nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv për shtyrjen e vendimit përfundimtar. KF Skënderbeu do të njihet me vendimin në datë 12 korrik”, - shkruan klubi korçar në faqen zyrtare, ku poston edhe një faksimile të shkresës që ka marrë së fundi nga KAS-i.

Skënderbeu është dënuar nga UEFA me 10 vite jashtë Kupave të Europës për trukim ndeshjesh. Klubi korçar e apeloi vendimin fillimisht dhe më pas iu drejtua KAS-it, ku shpreson shumë të marrë një përgjigje pozitive më 12 korrik. Nëse ndodh kështu, Skënderbeu pritet të përfitojë një dëmshpërblim të konsiderueshëm financiar. Korçarëve u duhet të presin edhe dy javë për të mësuar përfundimisht, nëse dënimi do të mbetet në fuqi, apo çështjen do ta fitojë klubi i tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë