Kombetarja

Karton i kuq dhe nervozizëm, Mavraj gabon gjithçka

Në fillim një gabim në mbrojtje, më pas një mungesë organizimi në pësimin e golit dhe në fund një moment nervozizmi që u dënua më karton të kuq nga Mërgim Mavraj, kanë përcaktuar pjesën e parë të ndeshjes Shqipëri-Skoci. Ndeshja që po luhet në “Loro Boriçi” në Shkodër ka filluar shumë mirë për ekipin mik që ka marrë në kontroll ndeshjen që në minutat e para. Mundësitë e vetme që Shqipëria pati në 45 minutat e para janë me anë të Grezdës, por që është i vetëm dhe bllokohet shpejt.

Britanikët do e gjenin golin në minutën e 14 me anë të Fraser. Më pas episodi tjetër i rëndësishëm në këtë pjesë të lojës ndodhi në minutën e 23’, kur kapiteni Mavraj doli nga fusha e lojës për shkak të një sjellje antisportive ndaj kundërshtarit.

Edhe pas këtij episodi ekipi dominues në fushë është Skocia dhe kombëtarja kuqezi është shumë e pafuqishme për të reaguar. Sakaq nga kjo gjendje ka përfituar Skocia që në mbyllje të 45 minutave të para ka shënuar edhe golin e dytë me anë të Flecer me penallti.

Shqipëria zbriti me formacionin 4-3-3 nga minuta e parë, por me daljen e Mavrajt nga fusha e lojës, tashmë Panuçi e ka rreshtuar ekipin 4-4-1.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë