Ngjarje

Karrigia që “ha” drejtorët që na kontrollojnë ushqimet

Karrigia e drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka qenë sa e lakmuar, aq edhe e mallkuar në tre vitet e fundit. “Trazirat” për këtë post nisën që në janar të 2017, ku për shkak të konfigurimit të mazhorancës së re PS-LSI-PDIU, Afrim Bakaj u largua për t’ia lënë vendin Isuf Shehut.

Bakaj nuk la gjurmë në këtë post, që e mori në 2013. Nën drejtimin e tij, AKU u përqëndrua më fort në aksione nëpër pikat ushqimore të vogla, të dorës së dytë, ose të tretë të shitjes, ndërsa ka pak rekorde sa u takon masave ndëshkuese për subjektet importuese të mallrave ushqimore me probleme.

Pa shumë bujë, edhe për shkak të natyrës së largimit të tij, që më shumë se me kryerjen e detyrës lidhej me një vendim politik të PS-së, që ja jepte këtë post PDIU-së, Bakaj u pasua në këtë detyrë nga Isuf Shehu. Shehu u emërua më 27 janar të 2016 në krye të AKU-së.

Institucioni nisi të bëhej më transparent, të paktën sa u takon njoftimeve në faqen zyrtare të internetit, por aksionet e kontrolleve ushqimore u kufizuan tek pikat e vogla të tregtimit, deri në maj të 2016, kur u bllokuan mbi 3 tonë sallame jashtë parametrave për t’u hedhur në treg. Në këtë periudhë u ngritën shqetësime të shumta për doza tej normave të lejuara të aflatoksinës në disa produkte ushqimore. AKU doli me deklaratë për të sqaruar se sipas analizave të kryera, aflatoksina, që me doza të mëdha mund të shkaktojë probleme të pariparueshme shëndetësore, nuk ishte në nivelet jashtë parametrave ligjore.

Veç kësaj, periudha nën drejtimin e Isuf Shehut rastisi edhe me aksionin e mbylljes së thertoreve të palicencuara dhe të disa aksioneve të tjera ndaj aktiviteteve prodhuese artizanale të paregjistruara, siç ishte ai i prodhimit të rakisë dhe verës. Kjo ishte pjesë e një fushate të paralajmëruar nga ana e Kryeministrit, por që shkaktoi deri diku pakënaqësi tek një pjesë e qytetarëve. “Kostoja” e kësaj pakënaqësie ishte edhe largimi i Isuf Shehut në fund të gushtit dhe zëvendësimit të tij me Dritan Sejkon.

Kryetari i shoqatës së Industrisë së Ushqimit, Alban Zusi dhe drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, AKU, Dritan Sejko. Gazeta Si, 3 tetor 2019

Në fund të shkurtit të 2017, Sejko prezantoi aplikacionin “Inspektori Dixhital”. Objektiv ishte shfrytëzimi i teknologjisë që do t’u mundësonte qytetarëve që të denoncojnë përmes këtij aplikacioni të instaluar në telefonat e tyre çdo shkelje të vërejtur në fushën e sigurisë ushqimore. Aplikacioni është ndërtuar nga kompania AEE System, por aktualisht nuk gjendet më. Nuk dihet nëse ka funksionuar ndonjëherë ky aplikacion apo jo.

Në mars të 2017, AKU njoftoi bllokimin e importit të mishit të derrit dhe të pulës me origjinë nga Brazili, pas gjetjes së disa rasteve në vendet e Bashkimit Europian, ku ky mish ishte larg standardeve ligjore për t’u konsumuar dhe për më tepër i infektuar me salmonelë. Ky njoftim u përgënjeshtrua po nga vetë AKU pak orë më vonë.

“Ju bëjmë me dije se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka bllokuar importin e mishit nga Republika Federale e Brazilit. AKU ka bllokuar sasi produkti të mishit të importuar nga Brazili për t’u analizuar, sipas procedurës standarde në raste dyshimesh apo rreziqesh të mundshme”, deklaronte Autoriteti.

Gjithsesi, në këtë periudhë në dogana ndodhën disa aksione bllokimi produktesh, sidomos i mishit dhe nënprodukteve të tij me origjinë nga Amerika Latine. Kulmi i këtyre bllokimeve ishte në maj të 2017 me 26 tonë mish pule me origjinë nga Brazili, për shkak të pranisë së salmonelës. Në njoftimet zyrtare, AKU deklaronte shifra rekord inspektimesh, gjobash e deri tek bllokime subjektesh tregtuese në të gjithë vendin, ndërsa në shtator raporton një goditje të madhe.

AKU njoftoi bllokimin e një magazine në Sukth të Durrësit në të cilin përpunoheshin dhe tregtoheshin produkte ushqimore në mënyrë të paligjshme. AKU tha se gjatë inspektimit ka rezultuar se subjekti nuk dispononte licencë për prodhim dhe përpunim produktesh ushqimore, që iu gjendën në magazinë. Sasia e produkteve ushqimore të gjendura në magazinë ishin 2624 litra vaj ulliri dhe vaj misri, si dhe 52 ton produkte ushqimore, si salcë domatesh, turshi gogozhare, reçel qershie, komposto kumbulle, etj.

AKU raportoi gjatë ditëve në vazhdim për aksione kontrolli, gjobash dhe ndëshkime të vetë inspektorëve të saj për moszbatim të ligjit. Megjithatë, këto aksione nuk e ndryshuan fatin e Dritan Sejkos. Në fillim të tetorit 2017, ai shkarkohet.

Më 26 tetor, në të njëjtën ditë që Kryeministri Edi Rama dhe atëherë ministri i Bujqësisë prezantonin publikisht Agim Ismailin si drejtorin e ri të AKU-t, Autoriteti njoftoi asgjësimin e 2.3 tonëve peshk dhe mishi të sekuestruara gjatë një operacioni masiv të ndërmarrë në territorin e Bashkisë së Tiranës nëpër zgara dhe fast-food.

Kryeministri Edi Rama, ish-ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi dhe në cep djathtas, ish-kreu i AKU, Agim Ismaili

“Kësaj radhe do të ketë një standard të ri për sigurinë ushqimore, të pakthyeshëm e të qëndrueshëm. Kjo nismë nuk përbën një aksion për t’u kthyer ku ishim, por për të krijuar standarde.S’do të ketë më asnjë pikë therjeje në të gjithë vendin, dhe as kompani të prodhimit, përpunimit apo tregtimit të produkteve ushqimore, pa standarde”, premtonte në këtë takim Ismaili.

Kontrollet u zgjeruan edhe tek mielli i importuar, veç atyre për mishin dhe nënproduktet e tij. Pa u mbyllur mirë 2017, AKU njoftoi bllokimin e 1.2 tonëve djathë dhe gjizë, që sipas analizave, rezultonin me niseshte, e po ashtu edhe sasi mielli dhe farash misri, që nuk përmbushnin standardet.

Në 2018 do të regjistroheshin disa prej goditjeve më të mëdha, në Kakavijë, Shkodër, Morinë dhe Pogradec. Gjatë këtyre kontrolleve u bllokuan dhe rikthyen në vendet e origjinës rreth 200 tonë miell gruri, që nuk shoqërohej nga dokumentacioni përkatës dhe që pas analizave rezultonte me cilësi të dobët dhe nuk përmbushte kërkesat e ligjeve shqiptare. Bëhej fjalë për katër dërgesa në total, dy me miell të mbërritura nga Greqia dhe të bllokuara dhe kthyer pas në Kakavijë, një në Han të Hotit me origjinë nga Mali i Zi dhe një tjetër në Morinë, ku mielli i bllokuar ishte me origjinë nga Serbia dhe Kosova. Në Pogradec, AKU sekuestroi në total rreth 6 tonë mish të përpunuar në mënyrë të paligjshme në tre operacione të ndryshme.

Pavarësisht rekordeve, në dukje më pozitive se paraardhësit e tij, Agim Ismaili shkarkohet në muajin shkurt dhe zëvendësohet nga Agron Hetoja, që sapo ishte shkarkuar nga posti i drejtorit të KESH-it.

Në ditët e para të gushtit, AKU bllokoi rreth 50 tonë miell gruri me origjinë nga Greqia, pasi nuk garantohej cilësia e produktit. Më 18 gusht, bllokohen 27 tonë mish (fileto pule) me origjinë nga Brazili për prani salmonele. Më 1 shtator, AKU bllokoi 55 tonë miell gruri me origjinë nga Kosova dhe Serbia, ndërsa një ditë më vonë u bllokuan 33 tonë produkte ushqimore të skaduara, si makarona, çokollata, lëngje frutash dhe biskota.

Megjithatë, as Agron Hetoja nuk i shpëtoi “mallkimit” që ka shoqëruar karrigen e drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit vitet e fundit dhe ai u shkarkua në mbledhjen e Qeverisë më 2 tetor. Në vend të tij u emërua, Robert Lili, ish-drejtor i OSHEE-së në Gjirokastër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë