Katar 2022

Karim Benzema i jep lamtumirën Francës, tërhiqet zyrtarisht pas polemikave

Gazeta Si – Me një postim në profilin e tij në Tuiter, sulmuesi i Real Madridit ka konfirmuar se i ka dhënë fund raportit me skuadrën e drejtuar nga Didier Deshamp. Kohët e fundit pati shumë polemika për raportin e trajnerit me fituesin e ‘Topit të Artë’.

"Kam bërë sforcot dhe gabimet e nevojshme për të qenë aty ku jam sot. Dhe jam krenar! Kam shkruar historinë time dhe historia jonë po përfundon", - shkruan Benzema, që poshtë tekstit ka vendosur foton e tij me fanellën e kombëtares franceze.

Një postim që zyrtarizon lamtumirën e lojtarit me nënkampionët e botës. Vendimi vjen në fund të një fundjave të mbushur me polemika, ku përfshihet edhe trajneri Deshamp. Benzema u dëmtua pak para nisjes së Katar 2022 dhe, edhe pse u rikuperua, Deshamp vendosi të besonte te Zhiru, duke i mbyllur dyert ‘Topit të Artë’.

Sulmuesi i Realit nuk e priti aspak mirë këtë vendim dhe u kthye të stërvitej me klubin e tij në Spanjë. Ai injoroi edhe ftesën e presidentit Makron, i cili e donte në stadium për finalen. Deshamp ishte përgjigjur prerë për ata që e pyesnin për çështjen ‘Benzema’, duke e bërë të qartë krisjen mes të dyve. Tani sulmuesi zyrtarizon lamtumirën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë