Vizatimore

Karikaturisti Sulaj i nominuar për çmimin e madh europian

Agim Sulaj është piktor dhe karikaturist shqiptar që jeton e punon në Itali. Piktori shqiptar i cili numëron dhjetëra çmime ndërkombëtare, është përzgjedhur me një punim të tijin për çmim bashkë me 15 karikaturistë europianë në programin e ekselencës “European Press Prize 2020”. Vepra me të cilën u prezantua shqiptari, titullohej “Plastika po shqyen botën”!
Në lidhje me karikaturat, Gjykatësi i “European Cartoon Award” Janet H. Anderson u shpreh: “Karikaturat editoriale janë një lloj i veçantë i komenteve; ata kanë kaq shumë gjëra që duhet të shënojnë në tregimin vizual, lidhjen me ngjarjet aktuale dhe përcjelljen e një mesazhi të qartë. Ajo që shkëlqeu, ishin kritikat e tyre të mprehta, shpesh shumë qesharake, për punët aktuale. Të gjithë duam të inkurajojmë më shumë karikaturistë në të gjithë Evropën që të hyjnë në këtë çmim përrallor në vitet në vazhdim”, ka treguar ai.

“European Press Prize 2020” ku Sulaj është ndër 16 artistë e nominuar për çmimin e madh, do të jepet në Bruksel në tetor të vitit 2020.
Agim Sulaj në moshën 19-vjeçare fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”. Në vitin 1985 diplomohet në Universitetin e Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon në revistën “Hosteni , e vetmja revistë satirike e kohës.
Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj.
Në vitin 1990 në Ankara të Turqisë me veprën e tij “Valixhja e emigrantit” punim i vitit 1989, fiton çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”. Në vitin 1992 hap një ekspozitë në Rimini e në vitin 1993 një tjetër në provincën e Brindisit.
Në vitet ‘90 merr rrugën e mërgimit dhe vendos të shkojë në provincën e Riminit. Fillimisht vetëm, e më pas tërheq familjen.
Në qendër të punëve të tij mbeten temat shoqërore, shumë më lirshëm se më parë, por pa rënë kurrë në “karikaturizimin e personit”. Vazhdon të kritikojë dukuritë, jo mbartësit.
Ndonëse jeton në Rimini në Tiranë ka blerë një galeri ku ekspozon gjithnjë veprat e veta.
Në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në reqi, Turqi, Blegjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, Luksemburg. /diasporashqiptare


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë