Futboll

Kapiteni i Teutës shkon te Laçi, klubet e Superiores nisin spastrimet

Me mbylljen e javës së 15-të të kampionatit, e fundit për vitin 2021, klubet e Superiores kanë nisur lëvizjet, fillimisht me largimin e atyre elementëve që konsiderohen të panevojshëm për vazhdimin e sezonit, por ka edhe nga ata lojtarë që kërkojnë një aventurë të re për shkak të rrethanave të ndryshme.

Veçanërisht klubet që nuk kanë arritur rezultatet që prisnin, në merkaton e dimrit përpiqen të zbutin kostot, duke larguar me konsensus lojtarë që kanë paga të larta dhe nuk kanë bindur, apo edhe ata që kanë qëndruar në stol dhe që klubi më shumë i ka paguar si “turistë”.

Sherif Kallaku. Gazeta Si, 26 dhjetor 2021

Lëvizja e parë e rëndësishme është ajo e kapitenit të Teutës, Sherif Kallakut, i grumbulluar disa herë edhe në Kombëtare. Mesfushori është nën kontratë me Lokomotivën e Zagrebit në Koraci dhe deri tani luajti në huazim te Teuta. Pas përfundimit të këtij huazimi 6-mujor, klubi kroat ka vendosur ta huazojë sërish dhe Kallaku është bashkuar tashmë me Laçin, ku ka luajtur edhe më parë. Do të jetë një vlerë e shtuar në skuadrën e trjnerit Mirel Josa, që me rezultatet e fundit është futur në rrethin e pretendentëve për titull.

Kastrioti i vendit të fundit ka ndërprerë marrëdhënien me trajnerin Ramazan Ndreu, ndërkohë që spastrime lojtarësh ka pasur tek Egnatia. Drejtuesit e saj kanë larguar disa lojtarë të huaj që nuk kanë luajtur, ose kanë luajtur pak deri tani, si dhe Ndraxhin, por mund të ketë edhe “firo” të tjera, pas paraqitjes jo të mirë në javët e fundit. Edhe Vllaznia ka në plan të largojë ndonjë element të tepërt në organikë.

Marsel Ismailgeci. Gazeta Si, 26 dhjetor 2021

Tirana e vendit të parë mund të humbasë një nga lojtarët e saj më të mire. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me largim, por me shitje. Marsel Ismailgeci është gati të kalojë në një kampionat të huaj, duke ndjekur rrugën e Muçit dhe Çelhakës. Për mbrojtësin e krahut të majtë ka oferta dhe mbetet për t’u parë, nëse shitja do të finalizohet tani, apo në merkaton e verës.

Pas spastrimeve do të jetë radha e afrimeve, ku disa skuadra, me në krye Dinamon, po lëvizin me shpejtësi për të forcuar grupin. Në qendër të mërkatos është aktualisht Sabien Lilaj, ish-mesfushori i Kombëtares që ka mbyllur aventurtën në Kosovë dhe është gati të rikthehet në Superiore.

Sabien Lilaj. Gazeta Si, 26 dhjetor 2021

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë