Kombetarja

Kapiteni Hysaj: Kemi nevojë për tifozët, të jemi konkretë ndaj Moldavisë!

Elseid Hysaj ishte sërish në krah të trajnerit Edi Reja në konferencë shtypi. Mbrojtësi shkodran foli për humbjen në Islandë dhe për ndeshjen e radhës me Moldavinë. Ai theksoi se Shqipëria është në rrugën e duhur dhe do të rritet nga ndeshja në ndeshje, ndërkohë që kërkoi ndihmën e tifozëve për të shkuar te fitorja:

“Jemi të kënaqur me lojën që kemi zhvilluar në Islandë. Mendoj se kemi rigjetur personalitetin tonë dhe idenë e lojës, që i kishim humbur së fundi. Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të jemi në 100% të mundësive tona. Roli në fushë? Jam profesionist dhe bëj atë që më kërkon trajneri. Ndoshta nuk e prisja ta bëja kaq mirë rolin e ri në fushë, më shkoi mirë dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Ne të gjithë duhet të luajmë për rritjen e Kombëtares, pasi trajneri është i ri dhe duhet ta ndihmojmë. Duhet të ngjitim një e nga një shkallët dhe të shfaqemi si një skuadër sa më kompakte në fushë. Kuptohet që duhet kohë që të punojmë së bashku dhe të shprehemi më mirë në ndeshjet e ardhshme.

Për shiritin e kapitenit është trajneri ai që vendos, unë e kam për nder ta mbaj shiritin në krah, një ëndërr që është bërë realitet. Jam tip që nuk bëj polemika asnjëherë. Në Islandë nuk luajtëm me topa të gjatë, nëse e kemi bërë në ndonjë moment, thjesht kemi dashur të shkojmë te porta kundërshtare për të shënuar. Shqipëria nuk luan me topa të gjatë. Kemi nevojë për tifozerinë kuqezi, sepse është shumë e rëndësishme për ne. Kombëtarja luan për tifozët dhe sa më shumë tifozë të kemi në Elbasan, aq më mirë është. Ata na ndihmojnë, na japin zemër, ndërsa ne duhet të tregojmë se po rritemi. Duhet të jemi më konkretë, duhet të pasojmë më shumë për sulmuesit. Besoj se do të dalim të fitojmë”, tha Hysaj gjatë konferencës për shtyp.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë